Egjipti në gjendje lufte, ushtria vret qindra mbështetës të ish-Presidentit Morsi
Egjipti është në gjendje të jashtëzakonshme pas masakrës që ndodhi pas ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë kampet e protuestuesve në Kajro. Në këto kampe të ngitura në sheshet kryesore të kryeqytetit egjiptian qëndronin prej kohësh mbështetësit e presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi.
Gjendja e jashtëzakonshme e cila përfshin Kajron dhe disa province të tjera ka hyrë në fuqi në orën 16:00 me orën lokale dhe do të zgjasë për rreth 1 muaj nga dita e sotme.
Masa parashikon ndalim qarkullimi nga ora 19:00 e mbrëmjes me orën lokale deri në 06:00 të mëngjesit. Në lajmërimin e Presidencës thuhej se vendimi u mor si një masë për të mbrojtur vendin dhe humbjen e jetëve të njerëzve.
Pas përshkallëzimit të gjendjes, Mohamed El Baradei është tërhequr nga posti i zëvendës.presidentit të vendit. Situata në Egjipt erdhi drejt përshkallëzimit që prej orëve të para të mëngjesit, pasi buldozerë të armatosur hynë thellë në kampin kryesor të protestuesve që ishte ngritur jashtë xhamisë Raba al Adaëiya, në lindje të Kajros sikurse edhe në kampin pranë sheshit Nahda.
Bilanci i viktimave është provizor dhe kontradiktor, por vijon të rritet nga ora në orë. Sipas Vëllazërisë Muslimane, janë më shumë se 2200 viktima dhe rreth 10 mijë të plagosur gjatë ndërhyrjes së ushtrisë.
Por, ky bilanc tragjik mohohet nga autoritetet në Egjipt. Ministria egjiptiane e Shëndetësisë flet për 149 viktima dhe 1403 të plagosur, por ka rritur ndjeshëm bilancin nga orë në orë duke vërtetuar se numri i përgjithshëm i viktimave do të jetë i lartë. Mes viktimave janë edhe dy gazetarë, sikurse raportohet se ka humbur jetën edhe vajza 17-vjecare e një lideri të Vëllazërisë Muslimane.
Raportime për tensione vijnë edhe nga zona të tjera të vendit. Ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe liderët e Bashkimit Europian u kanë bërë thirrje autoriteteve të Ushtrisë në Egjipt që të vetëpërmbahen, ndërsa kanë dënuar ashpër dhunën e përdorur ndaj protestuesve.