Takohen izraelitët dhe palestinezët

Negociatorët izraelitë dhe palestinezë janë takuar për një raund të ri bisedimesh, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.Sesioni i së mërkurës është mbajtur në një vend të fshehtë në Jerusalem.Ky është takimi i parë formal që nga bisedimet e muajit të kaluar në Uashington, të cilat kanë shënuar edhe rinisjen e procesit të paqes.Bisedimet e mëparshme janë ndërprerë në vitin 2010 për shkak të ndërtimeve izraelite në tokën që palestinezët e duan për shtetin e tyre të ardhshëm.Gjatë natës, Izraeli ka liruar 26 të burgosur palestinezë, në kuadër të iniciativës së ndërmarrë nga sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, për rikthimin e të dyja palëve në tryezën e bisedimeve.Izraeli ka premtuar lirimin e 104 palestinezëve. Ai po ashtu ka njoftuar se do të ndërtojë 3,100 shtëpi të reja për hebrenjtë, gjë që ka zemëruar palestinezët.