Përkeqësohet situata në Egjipt, 525 viktima
Pas përleshjeve të mbrëmshme në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro duket se ka rënë qetësia.Dhuna e së mërkurës vuri përballë ushtrinë e Egjiptit dhe qeverinë aktuale kundër mbështetësve të presidentit të rrëzuar, Mohammed Morsi.
Të paktën 525 persona janë vrarë gjatë dhunës së djeshme, raporton televizioni shtetëror, duke cituar zyrtarë të emergjencave në Egjipt.Por një zëdhënës për Vëllazërinë Myslimane, e cila kërkon rikthimin në post të ish-presidentit Mohamed Morsi, ka theksuar se 2600 persona kanë vdekur pasi policia qëlloi me armë mbi turmën e demonstruesve.
Dëshmitarët dhe gazetarët njoftojnë se trupat e të vrarëve janë dërguar në mjedise të shndërruara në morg të përkohëshme dhe në spitale.
Ministri i Brendshëm, Gjeneral Mohammed Ibrahim, tha se 43 të tjerët mes viktimave janë oficerë policie. Ai fajëson Vëllazërinë Myslimane për atë që e cilësoi si status kaosi në të gjithë vendin. Ai akuzoi anëtarët e kësaj organizate se kishte qëlluar në drejtim të policisë, kishte sulmuar ndërtesat qeveritare dhe kishte djegur kisha.Revolucioni i 2011-s, që çoi në rrëzimin e ish-presidentit Hosni Mubarak, i cili pati një kontroll të vendit prej 30 vjetësh, u pasua nga zgjedhjet e para demokratike të Egjiptit. Morsi, një lider i grupit islamik të Vllazërisë Muslimane, fitoi presidencialet pas votimeve të 2012-s, por u rrëzua nga posti nga ushtria muajin e kaluar.
Që prej atëherë, Morsi është i arrestuar dhe nuk është shfaqur në publik. E megjithatë, mbështetësit e tij kanë shprehur publikisht opinionet e tyre, duke u “derdhur” nëpër rrugët e Kajros dhe qyteteve të tjera, për të kritikuar liderët e ushtrisë dhe për të kërkuar rikthimin e tij si president. Qeveria e Egjiptit nuk kishte dhënë asnjë shenjë zmbrapsjeje, duke kritikuar elementë të lëvizjes protestuese dhe duke i urdhëruar specifikisht ata të largoheshin nga 2 kampet, ku ishin mbledhur në Kajro përgjatë 6 javëve të fundit, përndryshe do t’i detyronin me forcë të shpërndaheshin. Dhe, të mërkurën ata e bënë realitet këtë.Presidenca e Egjiptit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në nivel kombëtar, pas masakrës që ndodhi, kur forcat e sigurisë bastisën kampet e protestuesve në Kajro.