Bisedimet e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ka shprehur besimin se bisedimet izraelito-palestineze të paqes do të rifillojnë të mërkurën, pavarësisht nga zemërimi i palestinezëve pas miratimit të Izraelit për ndërtimin e shtëpive të reja në Jeruzalemin Lindor dhe në Bregun Perëndimor.Duke folur në Brazilia, ndalesa e dytë e udhëtimit të tij në Amerikën e Jugut, Sekretari Kerry tha se do të ishte më mirë nëse Izraeli nuk të nxirrte njoftimin për ndërtimin e vendbanimeve të reja në kohën e bisedimeve të paqes.Kerry përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se ndërtimi i vendbanimeve të reja është jo legjitim, por tha se ai nuk beson se njoftimi i fundit izraelit për ndërtimin e shtëpive të reja kërcënon raundin e dytë të bisedimeve që pritet të fillojë të mërkurën në Jeruzalem.Izraeli miratoi ndërtimin e 942 shtëpive të reja, pas një njoftimi të mëparshëm për miratimin e ndërtimit të një mijë e dyqind shtëpive të reja në Jeruzalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor.Sekretari Kerry tha se ai kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili më herët shpjegoi qëllimin për të njoftuar ndërtimin e shtëpive të reja në zonat të cilat supozohet se do të jenë pjesë e Izraelit në çfarëdo marrëveshje paqeje në të ardhmen.Ai tha se ai do të bisedojë me presidentin e palestinezëve Mahmud Abbas, për të cilin tha se është i angazhuar për bisedimet " sepse ai beson se kjo çështje mund të zgjidhet përmes negociatave.""Pra, ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me izraelitët dhe me palestinezët. Ne shpresojmë që në fokus të diskutimeve të jenë çështjet e rëndësishme që lidhen me statusin përfundimtar dhe unë kam shpresë se do të arrijmë në atë pikë shumë shpejt. "Në prag të bisedimeve, zyrtarët palestinezë kanë vazhduar të shprehin zemërimin e tyre.Zyrtari i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Yasser Abed Rabbo e ka quajtur njoftimin për ndërtimin e vendbanimeve të reja si një "zgjerim të paprecendentë" të politikave izraelite mbi vendbanimet, që kërcënon të çoj në "dështimin e bisedimeve madje përpara fillimit të tyre."Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Marie Harf nuk pranoi të jepte hollësi të mëtejshme në lidhje me atë që Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Izraelit mbi ndërtimin e vendbanimeve të reja."Do të ketë vështirësi gjatë këtij procesi të bisedimeve, do ketë ulje dhe ngritje, të cilat kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Ne jemi të fokusuar në vazhdimin e bisedimeve dhe në të ardhmen dhe do të trajtojmë vështirësitë që dalin gjatë procesit të negociatave."Ndërkohë, Izraeli ka filluar zbatimin e fazës së parë të marrëveshjes së tij me palestinezët për lirimin e 104 të burgosurve palestinezë që ka qënë pjesë e marrëveshjes për fillimin e negociatave.