Vuksani: AI në bujqësi nuk mjafton pa infrastrukturë dhe informacion të qartë

Sektori i bujqësisë në Shqipëri po përballet me një krizë të thellë të krahut të punës, ku aktualisht barrën më të madhe e mban brezi i tretë, kryesisht të moshuarit rreth moshës 60-vjeçare.

Me një mungesë të theksuar të rinisë në fushë, si dhe me nivele tepër të ulëta të mekanizimit dhe automatizimit, futja e teknologjisë vlerësohet si një domosdoshmëri jetike për të mbajtur gjallë këtë sektor.

Së fundmi, vëmendja është tërhequr nga një risi, një asistent virtual inteligjent i quajtur "Ylli", i cili po prezantohet si një zgjidhje inovative.

Gjok Vuksani, eksperti i bujqësisë, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", u shpreh se ka një hendek të madh mes idesë fillestare dhe realizimit të saj praktik. Entuziazmi i tepruar rrezikon të kthehet në një propagandë boshe, e ngjashme me projekte të dështuara të së shkuarës, të cilat u trumbetuan me të madhe por përfunduan në fiasko.

" Këtë herë, futja e teknologjisë në bujqësi dhe veçanërisht e mekanizimit dhe automatizimit në bujqësi është një risi pozitive e cila do të zëvendësojë në një farë mënyre mungesën e krahut të punës që ka ky sektor. Ose thënë më thjesht, në sektorin e bujqësisë shqiptare aktualisht po punojnë brezi i tretë, i 60-vjeçarëve, dhe kemi shumë pak mjete mekanike, kemi shumë pak automatizim dhe kemi shumë pak rini e cila është e përfshirë në proceset bujqësore. 

Për të ardhur te ky rasti konkret, unë mendoj që është pozitive ideja por ndërmjet idesë dhe realizimit është në mes një lumë i tërë. Pra, në rradhë të parë ka shumë pak informacion se çfarë është Ylli, ky asistenti.

Dhe ajo që është më e rëndësishme është çfarë informacioni ka ky asistent. Sepse duhet ta dinë shikuesit tuaj. Sepse bëhet një lloj propagande e përgjithshme siç ndodhi edhe me diellin që pastaj doli një fiasko, që është një AI apo është një fuqi e mbinatyrshme e cila do zgjidhë problemet. AI në këtë rast, Ylli, është vetëm një shfaqje, është vetëm një figurë, është vetëm një simbolikë. Pas saj duhet të jetë një bazë teknologjike shumë e fuqishme", u shpreh Vuksani.