Daniel Shimës së AKSHI-t i vodhën çantat me euro, roli i Albana Lopçit në mbulimin e pastrimit të parave në restorante dhe biznese fiktive
Një zyrë e të dashurës së tij Enkeleda Hysës, me vendndodhje pranë Gjykatës së Tiranës, dyshohet se është përdorur nga ish nëndrejtori i AKSHI-t, Daniel Shima për të fshehur miliona euro para cash, produkt i aferave korruptive me tendera që i ka dhënë Gerond Meçes së kompanisë ABS, kompani e cila ka përfituar rreth 70 milionë euro nga buxheti i shtetit. Apartamenti i kamufluar si zyrë avokatie, mbushur me paratë e aferave të AKSHI-t, duket se është dekonspiruar, pasi persona të paidentifikuar dhe të padenoncuar, kanë hyrë në apartament dhe kanë vjedhur të gjitha paratë që kanë gjetur brenda.
Vjedhja e parave besohet se ka ndodhur para rrëmbimit të Daniel Shimës në gusht të vitit të kaluar. Zhdukja e Shimës u sinjalizua pikërisht nga avokatja Enkeleda Hysa, të cilës Shima i kishte shkruar ‘po më arrestojnë’. Nuk dihet nëse Shimën e rrëmbyen për t’i marrë një pjesë të parave të tjera produkt i tenderave të AKSHI-t apo nga grupi kriminal rival, përfaqësuar nga Ermal Beqiri, sot në kërkim nga SPAK, me qëllim për t’a shtrënguar që të mos flasë në SPAK ose të tërhiqet nga linja e Gerond Meçes.

Një ditë më pas, Daniel Shima ishte paraqitur në polici duke deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij. Tetë ditë para rrëbimit të Daniel Shimës, ishte rrëmbyer Gerond Meçe nga grupi kriminal rival, i goditur nga SPAK-u. Faktet tregojnë se Daniel Shima dhe Gerond Meçe kishin vendosur në zbatim një skemë korrupsione po aq të organizuar dhe të fuqishme sa Mirlinda Karçanaj me Ermal Beqirin.

Avokatja 40 vjeçare Enkeleda Hysa nga Pogradeci dyshohet se është një personazh kyç në pastrimin e parave të 36-vjeçarit Daniel Shima. Shima dhe Hysa po ndërtojnë një hotel në Pogradec në pronën e avokates me paratë e korrupsionit me tenderat e AKSHI-t. Çifti kamuflohet pas kompanisë Terra Construction, me pronar Sokol Përllakun, prestanome i Daniel Shimës dhe ortak me mamanë e saj Merita Shima. Më pas lidhet një tjetër marrëveshje me kompaninë “Son Engineering” të Erind Bejlerit dhe më vonë marrin leje për një hotel 7 kate mbi tokë dhe 3 nëntokë.
Çifti kamuflohet edhe pas kompanisë ‘FAB CONSTRUCTION’ me pronar Shaban Xhabrahimi, kompani e lidhur edhe me projektin hotelier luksoz në bregdetin e Borshit, ‘Radisson Individual Premium Borsh, me vlerë të deklaruar rreth 27 milionë euro. FAB CONSTRUCTION që ka marrë para nga Shima me fatura fiktive.

Referuar transaksioneve, Daniel Shima ka kaluar para tek kompanitë FAB CONSTRUCTION përmes kompanisë së tij ‘DIGITAL EUPHORIA’, e cila operon në sektorin e marketingut. DIGITAL EUPHORIA është kompania kryesore e Daniel Shimës për kanalizimin dhe pastrimin e miliona eurove që ka ndarë me Gerond Meçen. Përmes kësaj kompanie, Shima ka kaluar qindra mijëra euro me faturime fiktive tek kompanitë Fab Construction’, ‘Alu Glass’, ‘Magnus’, ‘D’Amir’, ‘Shega trans’, ‘Bliss Recruiting Company’ etj., që të gjitha kompani satelite.

Ndërkaq, Enkeleda Hysa ka themeluar në janar të vitit 2025 kompaninë “Salesforce Consulting AL”, sëbashku me një kushëri të sajin. Objekti i aktivitetit ka qenë “IT konsulencë e specializuar në marrëdhënie menaxheriale me klientët dhe shërbime të tjera të telekomunikacionit”. Nëse do të shohësh objektin e kupton mjaft qartë se pas Enkeledës është pikërisht Danieli.
Në kushtet kur 40-vjeçarja është juriste, çfarë e lidh me IT-në, përveçse lidhja me të dashurin a të fejuarin e saj Daniel Shima? Një kompani që u krijua me shpejtësi me të vetmin qëllim që të kamufloheshin paratë e marra nga tenderat e AKSHI-t. Kapitali themeltar i shoqërisë tregatare është vetëm 100 mijë lekë. Kompania është krijuar për një tjetër linjë pastrimi parash, por çifti duket se është tërhequr nga frika e SPAK pas ngjarjeve që tërhoqën vëmendjen.

Në skemën e pastrimit të parave nga Daniel Shima, tashmë përmes restoranteve, shfaqet edhe Albana Lopçi, shoqe e Enkeleda Hysës. Më konkretisht, në qershor të vitit 2023, nën emrin e Amir Gjokmelit, kuzhinier me profesion, hapet restoranti “D’Amir”. Vetëm 1 muaj pas themelimit, subjekti hap dy adresa të reja dytësore. Pra, dy degë të ushtrimit të aktivitetit. Ky zgjerim i shpejtë, nuk mund të shpjegohet me histori suksesi në një kohë që kompania sapo ishte krijuar.
Në Korrik të vitit 2024, shtohet një tjetër adresë e re aktiviteti. Kompania e rrjetit të restoranteve shitet në tetor të vitit 2025 tek Albana Lopçi, prestanome e Daniel Shimës dhe Enkeleda Hysës. Madje, Albana Lopçi ishte e punësuar te kompania e Shimës ‘Digital Euphoria’. Edhe kryerja e kontratës së shitjes nuk mund ti lihet rastësisë. Notere është Margena Cela, sërish mikeshë e ngushtë e të dashurës së Daniel Shimës. Pra, asgjë nuk është rastësi.

Vlera e shitjes së restorantit është 100 mijë lekë të reja, një vlerë që synon të justifikohet me kapitalin e shoqërisë, por, në restorant janë investuar miliona. Veprimet sërish kryhen nga noterja Margena Cela. Nëse shohim pamjet, është e qartë se investimi ka vlera kolosale. Pavarësisht kapitalit themelues, asetet vlejnë qindra mijëra euro. Këto, janë lëvizje në dukje ligjore, por fshehin aktivitetin e investimit dhe pastrimit të parave nga korrupsioni.
Informacionet sugjerojnë se i njëjti person që bleu restorantin në fjalë, po merr në duar edhe administrimin e dy hoteleve luksoze që janë në proces nga Daniel Shima, përmes kompanive të lidhura që zbuluam në investigimin e mëhershëm. Po ashtu, ka të dhëna që sugjeorjnë se zonja në fjalë është përfshirë edhe në administrimin e një projekti tjetër madhor në bregdetin e Jugut.
Linjë tjetër pastrimi parash, në skenë punonjësja Uendi Shevroja
Më 16 Korrik 2024 krijojet shoqëria “Bliss Company”, me adresë në rrugën ‘Asim Vokshi”, Pallati Onufri. Subjekti ka si aktivitet rekrutimin e emigrantëve të huaj. Nuk duhet të paragjykojmë, por, ky është një aktivitet që referuar 2 investigimeve të mëhershme të Inside Story, shpesh ka shërbyer për trafik të qenieve njerëzore ose mashtrim. Themeluese e kompanisë ishte Uendi Shevroja. Kjo shtetase punonte si teknike Webi në kompaninë “Digital Euphoria” të Daniel Shimës. Këtu, situata qartësohet për investitorët realë.
Subjekti në fjalë, ndryshon strukturën e aksionerëve vetëm 1 muaj pas themelimit. Në gusht 2024, 60 % e aksioneve shiten nga Uendi Shevroja tek Sonila Shevroja për 60 mijë lekë, një skemë qarkullimi e përdorur rëndom për humbjen e gjurmëve. Pra, teksa SPAK heton për AKSHIN, perandoria ekonomike e Daniel Shimës vetëm zgjerohet. Nëse ai u mor në hetim penal për disa akuza, pyetja që ngeli ishte çfarë po ndodh me hetimin pasuror të tij?!
Pastrim parash me kushëririn
Në vitin 2023, në kulmin e karrierës së Daniel Shimës, kushëriri i tij i parë, Marin Shpata, hapi kompaninë “E-Lava”, e cila kishte disa pika lavazhesh, një biznes që i kalonte shifrën e 500 mijë eurosh. Por, çfarë e lidh “E–Lava”-n me Daniel Shimën? Në dukje, ish-nëndrejtori mund të justifikohet se s’mban përgjegjësi se çfarë pune apo biznesi ka djali i dajës. Po kur Danieli dhe Marini kanë të njëjtën adresë, a kanë lidhje?!


Danieli i është futur “me kokë” letrave pasi la detyrën shtetërore, pasi ai themeloi me shpejtësi një tjetër firmë, të quajtur “Blitz Facility Management”. Kjo firmë kishte si “pronar” kompaninë e parë të Danielit “Digital Euphoria”. Këtu bëhet lidhja mes Marinit dhe Danielit, pasi si “E-Lava” dhe “Blitz” kanë të njëjtën adresë të deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit; Rruga e Kavajës, Garden Building, kulla 24, kati 6, apartamenti 2A. Jo vetëm kaq, pasi firma e dytë e Danelit regjistrohet për lavazh dhe dezifektim, pikërisht objekti i kompanisë së kushëririt.
Daniel Shima e ka zgjeruar gamën e bizneseve, duke hapur edhe një restorant në Lundër, në një pronë që vlen miliona euro.
Sokol Parllaku, linja kryesore e pastrimit të parave
Sokol Parllaku i kompanive Alu Glass, PREMIUM GLASS, TERRA CONSTRUCTION etj., rezulton linja kryesore e Daniel Shimës për pastrimin e parave të korrupsionit me tenderat e AKSHI-t. Daniel Shima kontrollon kompaninë DIGITAL EUPHORIA.
Përmes kësaj kompanie ka kaluar qindra mijëra euro me fatura fiktive tek kompanitë e Sokol Parllakut, i cili rezulton ortak me mamanë e Daniel Shimës, Merita Shima.

Nga dokumentet duket qartë lidhja e ish-nëndrejtorit Daniel Shima me kompaninë “Premium Glass”, e themeluar në vitin 2021. Një vit më vonë, aksionere me 100 % të aksioneve bëhet Merita Shima, nëna rrobaqepëse e Daniel Shimës. Në dokumentin e shitblerjes saktësohet se çmimi i blerjes së aksioneve ka qenë për vetëm 400 euro, duke e bërë Meritën pronare të vetme. Më pas, 56-vjeçarja fillon transaksione për të blerë prona në Tiranë dhe në bregdet.
Nga njëra anë Danieli firmoste tenderat me shumë zero te AKSHI dhe nga ana tjetër nëna e tij, Merita, vijonte të bënte biznes, pasi në emrin e kompanisë apo në pronat që ajo bleu, do të “mbinin” godina shumëkatëshe.
Daniel Shima ka pasur informacione se veprimtaria e tij dhe e nënës rrobaqepëse po hetohej. Në fund të vitit 2022, ai ka “urdhëruar” nënën e tij, Meritën, që t’ia kthejë aksionet Sokol Përllakut, të njëjtit person që ia bleu. Nëse çmimi i blerjes ishte 400 euro, çmimi i shitjes nga Merita te Sokoli shkoi në vetëm 1000 euro.
Duke qenë se, kompania kishte në pronësi pasuri me vlera miliona euro, apo kishte marrë leje ndërtimi, çmimi është bërë formal, për të fshehur shumëçka. Sipas dokumenteve rezulton se ky transaksion apo kalimi i aksioneve është bërë në të njëjtën kohë që Prokuroria e Posaçme kishte nisur një hetim. Por, edhe pas shitjes me letra të kësaj firme, sërish administrator vendoset një “njeri” i besuar i Daniel Shimës. /Marrë me të njëjtin titull nga "Prapaskena"

