DITA BOTËRORE PA DUHAN/ OBSH apelon lënien e duhanpirjes në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit "Zotohu dhe lëre"
Çdo vit më 31 maj shënohet Dita Botërore Pa Duhan, një nismë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerëve të saj, që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet e duhanit dhe të nxisë më shumë njerëz ta lënë atë.
Fushata e këtij viti zhvillohet me sloganin “Zotohu dhe lëre”, duke u përqendruar te mbështetja për ata që duan të heqin dorë nga duhani përmes këshillimit dhe programeve të posaçme.
OBSH kujton se duhani mbetet një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve të rënda si problemet e zemrës, kanceri, sëmundjet e mushkërive dhe diabeti. Gjithashtu, edhe tymi pasiv konsiderohet i rrezikshëm për shëndetin.
Sipas ekspertëve, përfitimet nga lënia e duhanit fillojnë shumë shpejt. Pas vetëm 20 minutash zemra fillon të punojë më normalisht, ndërsa brenda pak orësh ulet niveli i substancave të dëmshme në gjak. Me kalimin e kohës, përmirësohet frymëmarrja dhe ulet rreziku për sëmundje të rënda.
OBSH vlerëson se shanset për të lënë duhanin rriten ndjeshëm kur personat marrin mbështetje nga profesionistët e shëndetit. Për këtë arsye, janë zhvilluar edhe mjete digjitale si aplikacione dhe chatbot që ofrojnë këshilla dhe ndihmë për ata që duan të lënë duhanin.
Sipas të dhënave globale, miliona njerëz në botë vazhdojnë të jenë duhanpirës, ndërsa Evropa mbetet një nga rajonet me përqindjen më të lartë të konsumit të duhanit.
Me rastin e kësaj dite, OBSH u bën thirrje qytetarëve të ndërmarrin hapin për një jetë më të shëndetshme dhe institucioneve të forcojnë masat për uljen e përdorimit të duhanit.

