PËRPLASJA ME BLUTË NË ZVËRNEC/ Policia përgënjeshtron veten: Qytetari nuk u fut me forcë në kantier, e tërhoqën zvarrë njerëzit me maska

Policia e Shtetit ka reaguar pas ngjarjeve të raportuara në Vlorë, duke pranuar një pasaktësi në komunikatën e mëparshme të Drejtorisë Vendore të Policisë.

Sipas njoftimit, pretendimi se një qytetar ishte futur me forcë brenda rrethimit të një kantieri ndërtimi nuk rezulton i saktë.

Për këtë arsye, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka vendosur pezullimin e drejtorit të Policisë së Vlorës.

Policia ka kërkuar ndjesë publike për gabimin në informacion, duke e cilësuar besimin e qytetarëve si një element të rëndësishëm për institucionin.

Në reagim sqarohet gjithashtu se territori ku po zhvillohet projekti është pronë private me dokumentacion të rregullt ligjor dhe leje përkatëse për rrethim.

Policia u bën thirrje qytetarëve që çdo mosmarrëveshje për pronësinë apo projektet zhvillimore të zgjidhet në rrugë gjyqësore dhe jo përmes protestave në terren.

Sipas autoriteteve, detyra e Policisë është mbrojtja e pronës private që është e pajisur me dokumentacion të rregullt ligjor.

NJOFTIMI I POLICISË:

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.

Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.

Ndërsa lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.

Prandaj përfitojmë nga rasti që t’u drejtohemi edhe qytetarëve që protestojnë, duke nënvizuar se çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj, adresohet në Gjykatë.

Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor.