DOSJA “REVANSHI” NË GJKKO/ SPAK jep pretencën, 56 vite burg në total për grupin. Ja sa vite kërkohet për vëllain e ish-deputetit dhe të përfshirët e tjerë
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën për një nga fraksionet e dosjes së koduar “Revanshi”, ku në total kërkohen rreth 56 vite burg për 5 të pandehur të akuzuar për krijim grupi kriminal, kultivim dhe trafikim droge, armëmbajtje pa leje dhe sigurim kushtesh për vrasje.
Sipas kërkesës së SPAK në GJKKO, ish-efektivi i RENEA-s, Adrian Pikli, për të cilin janë kërkuar 10.6 vite burg, përfiton ulje në 7 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Për Edison Muçekun, është kërkuar 9 vite burg, që zbret në 6 vite me gjykim të shkurtuar.
Elvis Ndreca, i afërm i ish-deputetit socialist Eduard Ndreca, përballet me kërkesë për 9 vite burg, që ulet në 6 vite.
Për Armando Ndreca, vëllai i ish-deputetit Eduard Ndreca, SPAK ka kërkuar 15 vite burg, që zbresin në 10 vite.
Ndërsa për Deivis Bajramaj, është kërkuar dënimi me 12 vite burg, që ulet në 8 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Hetimet lidhen me një sërë ngjarjesh të ndodhura gjatë viteve 2020–2021. Sipas dosjes, në 4 nëntor 2020 në Urën e Tapizës në Fushë Krujë është tentuar një atentat ndaj Durim Bamit dhe Ervin Kodrës. Në periudha të tjera, pjesëtarë të grupit akuzohen për sigurim armësh dhe mjeteve për vrasje, si dhe për përfshirje në trafik droge dhe armësh.
SPAK ka veçuar nga dosja hetimet për Albert Zajën, i cili dyshohet si pjesë e të njëjtit grup kriminal në disa episode të mëparshme.

