VIDEO/ Nga arkivat në ekran: rikthehet i restauruar filmi “Fëmijët e saj!"

Filmi “Fëmijët e saj”, i prodhuar në vitin 1957 me regji të Hysen Hakanit, është restauruar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe do të rikthehet së shpejti për publikun në version të përpunuar.

Lajmi është bërë i ditur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar këtë proces si një punë të çmuar për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kinematografike shqiptare.

Sipas tij, restaurimi i filmit ndihmon në ringjalljen e kujtesës historike dhe u jep mundësi brezave të rinj të njohin nga afër historinë, artin dhe vlerat e kinemasë shqiptare.

“Disa fragmente nga filmi i restauruar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, “Fëmijët e saj” i vitit 1957, me regji të Hysen Hakanit, që së shpejti do të rikthehet i restauruar për publikun.

Një punë e çmuar për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kinematografike, që i jep jetë kujtesës dhe u mundëson brezave të rinj të njohin nga afër historinë, artin dhe vlerat e kinemasë shqiptare”, shkruan Rama.