Zbulohet e vërteta tronditëse e Modiglianit/ Parisot rrëfen jetën mes varfërisë, luftës dhe artit

Në një intervistë për emisionin “Ora e Betit” në Ora News ishte historiani dhe eksperti i artit Christian Parisot, një nga njohësit më të afërt të veprës së Amedeo Modiglianit dhe drejtues i arkivave që lidhen me trashëgiminë e tij artistike.

Parisot foli për rrugëtimin e Modiglianit nga Livorno drejt Parisit, rrethin artistik ku ai u përfshi dhe kushtet e vështira të jetës së tij gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore.

Sipas tij, artisti ishte pjesë e një brezi që jetonte mes varfërisë, por edhe një shpërthimi të madh kulturor në art, poezi dhe muzikë.

Në intervistë u ndal edhe te periudha e jetës së Modiglianit në Montmartre dhe Montparnasse, ku ai u njoh dhe bashkëpunoi me emra të njohur të artit të kohës.

“Parisi në atë kohë ishte një vend i jashtëzakonshëm. Aty u mblodhën artistët më të rëndësishëm të epokës, dhe pavarësisht luftës, u krijua një energji e re në art dhe kulturë.”-shtoi ai.

Parisot shpjegoi edhe mënyrën se si u krijua lidhja e tij me trashëgiminë e Modiglianit, përmes Jeanne Modiglianit, vajzës së artistit, e cila i besoi më vonë dokumentacionin dhe arkivat familjare.

“Ajo më besoi arkivat si një gjest mirëbesimi. Qëllimi është të ruajmë figurën reale të Modiglianit, pa mite dhe pa deformime të mëvonshme.”-shtoi ai.

Ai u ndal gjithashtu te vitet e fundit të jetës së artistit, marrëdhëniet e tij personale dhe gjendja e vështirë shëndetësore, duke theksuar se përtej legjendës, Modigliani mbetet një figurë thellësisht njerëzore dhe një nga emrat më të rëndësishëm të artit modern.