Mbërrijnë në Tiranë veprat miliona dollarëshe të Modiglianit/ Eksperti Graziani tregon historinë tragjike pas ekspozitës
Në një intervistë për emisionin “Ora e Betit”, eksperti i artit Giancarlo Graziani foli për ekspozitën e veçantë të Amedeo Modiglianit që është hapur në Galerinë Carlo në Tiranë. Ai tregoi detaje mbi veprat që kanë mbërritur në Shqipëri, historinë pas tyre dhe projektin për një ekspozitë më të madhe në të ardhmen.
Sipas Grazianit, kjo ekspozitë është menduar si një prezantim i parë i Modiglianit për publikun shqiptar dhe si një hap drejt një eventi më të madh artistik në vitet e ardhshme.
“Modigliani është një artist universal. Kjo ekspozitë në Tiranë është një premierë e vogël, e menduar si fillimi i një rrugëtimi më të madh që shpresojmë të zhvillohet në vitet e ardhshme,”-tha Giancarlo Graziani.
Në ekspozitë janë paraqitur disa nga punët më të hershme të artistit, mes tyre edhe piktura “Double Face”, e cila përmban një peizazh në njërën anë dhe portretin e një miku të tij në anën tjetër. Vizitorët do të kenë mundësi të shohin edhe vizatime të rralla të Modiglianit, përfshirë një punim kushtuar Jeanne Hébuterne, partneres së tij, historia e së cilës lidhet me fundin tragjik të çiftit.
Graziani tregoi se ky vizatim ishte pjesë e ekspozitës së vetme që Modigliani hapi gjatë jetës së tij në vitin 1917, e cila u mbyll pas vetëm tre orësh.
“Ky është një nga vizatimet më të rëndësishme të historisë së Modiglianit. Ai ia kushtoi Jeanne Hébuterne dhe e prezantoi në ekspozitën e tij të vetme publike në vitin 1917,”-u shpreh Graziani.
Në aktivitet është i pranishëm edhe profesor Christian Parisot, i njohur si një nga studiuesit dhe mbrojtësit kryesorë të trashëgimisë së Modiglianit. Sipas organizatorëve, qëllimi është ruajtja e origjinalitetit të veprës së artistit dhe largimi nga deformimet apo falsifikimet që kanë qarkulluar në tregun e artit ndër vite.
Ekspozita në Tiranë sjell jo vetëm veprat e artistit italian, por edhe një pjesë të historisë së tij personale dhe lidhjes së fortë kulturore mes brigjeve të Adriatikut. Organizatorët thanë se kjo është vetëm faza e parë e një bashkëpunimi më të gjerë artistik që pritet të vijojë në të ardhmen.

