Brenda Xhamisë së Namazgjasë/ Myftiu zbulon historinë, ndërtimin dhe rrugëtimin e gjatë të saj

Në një intervistë për emisionin “Ora e Betit” e zhvilluar  në ambientet e Xhamisë së Namazgjasë, Myftiu i Tiranës foli për rrugëtimin e ndërtimit të këtij objekti kulti, rëndësinë historike të zonës dhe funksionin që xhamia ka marrë sot si një hapësirë e hapur për besimtarët dhe vizitorët.

“Qëllimi ka qenë që xhamia të jetë një hapësirë e hapur për të gjithë, jo vetëm për besimtarët, por edhe për vizitorët që duan të njihen me këtë vend.”-tha ai.

Ai u ndal te periudha e gjatë e ndalimit të besimit gjatë sistemit komunist, duke kujtuar se për dekada të tëra institucionet fetare u mbyllën dhe praktika e besimit u zhvillua në mënyrë të fshehtë.

Sipas tij, pas viteve ’90 u pa një rikthim masiv i besimtarëve në xhami dhe një kërkesë e fortë për një hapësirë të madhe në kryeqytet.

Myftiu tregoi se Xhamia e Namazgjasë është ndërtuar mbi një zonë me histori të hershme fetare, ku më parë besimtarët mblidheshin për faljet e Bajramit në hapësirë të hapur.

Sipas tij, ndërtimi i xhamisë është realizuar me mbështetje dhe donacione, përfshirë kontribute nga qytetarë në Turqi, dhe është konceptuar si një kompleks i hapur për besimtarët dhe vizitorët.

Ai theksoi se xhamia ka pasur interes të madh që nga hapja, duke u vizituar jo vetëm nga besimtarë myslimanë, por edhe nga qytetarë dhe turistë të besimeve të ndryshme.

“Njerëzit vijnë, përjetojnë qetësi dhe largohen me mbresa të mira. Kjo e bën këtë xhami një vend të veçantë për qytetin.”-u shpreh Myftiu.