LAMTUMIRË ARKITEKTIT TË “ËNDRRËS”/ “Unë kam një ëndërr” – Shuhet njeriu që ndihmoi Martin Luther Kingun në fjalimin historik

Ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare Clarence B. Jones, avokati, këshilltari dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Reverendit Martin Luther King Jr., i njohur si një nga njerëzit që ndihmoi në shkrimin e fjalimit legjendar “I Have a Dream”. Jones konsiderohej një figurë kyçe e Lëvizjes për të Drejtat Civile në SHBA dhe një zë i rëndësishëm kundër racizmit dhe pabarazisë sociale.

Një nga figurat më të rëndësishme në prapaskenat e Lëvizjes Amerikane për të Drejtat Civile, Clarence B. Jones, është ndarë nga jeta në moshën 95-vjeçare.

Jones vdiq në Cupertino të Kalifornisë, pranë familjes së tij, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në historinë moderne amerikane.

Ai njihet më së shumti si një nga njerëzit që ndihmoi Martin Luther King Jr. në hartimin e fjalimit historik “I Have a Dream”, mbajtur në vitin 1963 në Uashington, një nga momentet më ikonike të luftës për barazi racore në Shtetet e Bashkuara.

Si avokat personal dhe këshilltar i Martin Luther King Jr, Jones ishte pjesë e shumë ngjarjeve kyçe të Lëvizjes për të Drejtat Civile. Ai ndihmoi në publikimin e “Letrës nga Burgu i Birminghamit” dhe kontribuoi në fjalime të rëndësishme kundër racizmit, luftës dhe padrejtësisë sociale.

I lindur në Filadelfia në vitin 1931, Jones u diplomua në drejtësi dhe la pas një karrierë fitimprurëse për t’iu bashkuar kauzës së Martin Luther Kingut në vitet më të vështira të segregacionit racial në Amerikë.

Pas vrasjes së Kingut në vitin 1968, ai vijoi karrierën në financë dhe akademi, duke u bërë amerikani i parë me ngjyrë anëtar i Bursës së Nju Jorkut dhe më pas profesor në Universitetin e San Franciskos dhe studiues në Universitetin e Stanfordit.

Në vitin 2024, Jones u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë nga presidenti i atëhershëm Joe Biden, si vlerësim për kontributin e tij në historinë amerikane dhe mbrojtjen e të drejtave civile.

Clarence B. Jones do të kujtohet si një nga zërat që ndihmoi të formësohej ëndrra amerikane për barazi dhe drejtësi.