Përjetimi i Haxhit në Mekë/ Myftiu i Tiranës: Një udhëtim shpirtëror nga çdo cep i botës

Në emisionin “Ora e Betit” në Ora News ishte i ftuar Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja, i cili foli për rëndësinë e Haxhit dhe përjetimet e besimtarëve gjatë pelegrinazhit në Mekë.

Ai shpjegoi se Haxhi dhe festat kryesore të Islamit lidhen ngushtë me adhurimin dhe rrugëtimin shpirtëror të besimtarëve, duke nisur nga Ramazani dhe duke u përmbyllur me Fitër dhe Kurban Bajram.

“Është një udhëtim që vjen nga çdo cep i botës. Njerëzit mblidhen në Mekë për një qëllim të vetëm, për adhurim dhe për një përjetim shpirtëror që nuk krahasohet me asgjë tjetër.”-tha Teqja.

Myftiu ndalet edhe te Kodra e Arafatit, që konsiderohet një nga pikat më të rëndësishme të Haxhit, ku besimtarët luten dhe kërkojnë falje.

“Në Arafat mblidhen miliona njerëz. Aty njerëzit luten, kërkojnë mëshirë dhe ndihen të barabartë para Zotit, pa dallime mes tyre.”-u shpreh Myftiu.

Ai shtoi se rrotullimi rreth Qabesë është një nga momentet më të veçanta të pelegrinazhit dhe se besimtarët e përjetojnë si një ndjesi të fortë shpirtërore.

Sipas tij, Haxhi është i detyrueshëm për ata që kanë mundësi ekonomike dhe shëndetësore, ndërsa shumë besimtarë e përsërisin këtë udhëtim disa herë gjatë jetës, për shkak të përjetimit të veçantë që ofron.

Myftiu u shpreh se ajo që e bën Mekën të veçantë është ndjenja e bashkimit dhe mikpritjes, ku besimtarët nga e gjithë bota nuk ndihen të huaj, por pjesë e një komuniteti të vetëm shpirtëror.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS: