A ishte Ferri i Dantes pasojë e një impakti kozmik?
Në asamblenë e përgjithshme të European Geosciences Union është prezantuar një teori e re, sipas së cilës Ferri i përshkruar nga Dante Alighieri në Komedinë Hyjnore nuk do të ishte vetëm një udhëtim shpirtëror, por edhe rrëfimi simbolik i një katastrofe gjeologjike, shkruan focus.it.
Autori i hipotezës, Timothy Burbery, profesor letërsie dhe ekspert i geomitologjisë në Marshall University në SHBA, pretendon se Satani i Dantes mund të interpretohet si një asteroid gjigant që u përplas me Tokën.
Sipas tij, objekti kozmik do të kishte rënë në hemisferën jugore, duke krijuar një krater kolosal që më pas u shndërrua në Ferrin dantesk.
Burbery shpjegon se forca e përplasjes do të kishte nxjerrë materiale nga brendësia e Tokës, të cilat në anën e kundërt të planetit do të kishin formuar malin e Purgatorit.
Studiuesi e krahason këtë ngjarje me impaktin e asteroidit Chicxulub, i cili 66 milionë vite më parë çoi në zhdukjen e dinosaurëve.
Sipas teorisë, edhe nëntë rrethet e Ferrit mund të kenë një interpretim gjeologjik.
Ato do të ngjanin me unazat koncentrike që karakterizojnë krateret e mëdha të impaktit në planetë dhe satelitë të ndryshëm të sistemit diellor, si Hëna dhe Venusi.
Megjithatë, teoria mbetet ende spekulative.
Ajo është prezantuar vetëm në një konferencë shkencore dhe nuk është publikuar ende në një revistë shkencore të rishikuar nga ekspertët.
Për momentin nuk ka prova që Dante të kishte njohuri reale mbi impaktet kozmike apo proceset gjeologjike.

