Kinematografia mesdhetare, katër netë projeksione në ”Agimi Art Center”
Tirana Mediterranean Film Festival rikthehet me edicionin e dytë, prej ditës së sotme deri më 31 maj 2026.
TMFF është një platformë dhe hapësirë artistike për kinemanë mesdhetare që promovon shkëmbimin kulturor, dialogun artistik dhe tendencat aktuale të kësaj industrie.
Aktivitetet e Tirana Mediterranean Film Festival do të zhvillohen në Agimi Art Center, ku historia, kultura dhe kreativiteti do të bashkohen përmes fuqisë së filmit.
Ky edicion sjell një program të pasur me shfaqje filmash, masterclass-e, diskutime dhe takime me profesionistë të industrisë, duke krijuar ura lidhëse mes kineastëve nga i gjithë rajoni mesdhetar dhe publikut vendas. Thomas Logoreci do të jetë drejtor artistik i TMFF për vitin 2026.
Me një vizion të lidhur ngushtë me rrëfimin mesdhetar dhe kinemanë bashkëkohore, ai sjell një qasje artistike që ndërton një festival të dedikuar kulturës, krijimtarisë dhe dialogut kinematografik përtej kufijve. Ndër anëtarët e jurisë së Tirana Mediterranean Film Festival, do të jenë artistë dhe figura të artit dhe kinematografisë si aktori i mirënjohur Arben Bajraktaraj, Sofia Georgiadou, Taulanda Jupi, Simone Baretta dhe Marie Franz Alvarez.
