Dea Open Air, festival filmi dhe hapësirë dialogu artistik

Festivali Ndërkombëtar i Filmit DEA OPEN AIR do të zhvillojë edicionin e tij të trembëdhjetë, duke i rikthyer Tiranës një hapësirë dialogu artistik.

Aktivitetet e këtij festivali do të zhvillohen nga 1 deri më 5 qershor 2026. DEA OPEN AIR vjen këtë vit me moton “Qiell i hapur. Mendje të hapura!”, duke e vendosur në qendër të programit fuqinë e kinemasë për të ndërtuar ura komunikimi ndërmjet kulturave, brezave dhe mënyrave të ndryshme të të parit të botës.

Edhe këtë vit, festivali mbetet besnik ndaj konceptit OPEN AIR, duke ofruar eksperiencën e veçantë të shikimit kolektiv të filmit në ambiente të hapura. Ashtu si edhe në edicionet e mëparshme, ngjarjet kryesore të këtij festivali do të zhvillohen në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve.

Programet konkurruese të Filmit të Shkurtër dhe Filmit Studentor, si edhe një pjesë e projeksioneve të Filmit me Metrazh të Gjatë, do të zhvillohen te Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, duke krijuar një hartë dinamike projeksionesh dhe takimesh artistike përgjatë pesë ditëve të festivalit.

Në garë për Çmimet DEA janë 40 filma nga 25 vende të botës, prej të cilëve 7 në Seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë ose konkurrimin kryesor, 15 filma në Seksionin e Filmit të Shkurtër dhe 18 filma në Seksionin e Filmit Studentor.

Filmat e metrazhit të gjatë vijnë nga Turqia, Polonia, Holanda, Kirgistani, Italia, Spanja, Finlanda, Kina, Hong Kongu dhe SHBA. Programi i Filmit me Metrazh të Gjatë sjell vepra që eksplorojnë tensionet sociale, identitetin, teknologjinë, kujtesën dhe marrëdhëniet njerëzore përmes gjuhëve të ndryshme artistike dhe stilistike.