EMRAT/ Ekstradohet nga Italia narko-trafikanti i rrezikshëm! Arrestohet për llogari të Gjermanisë mashtruesi izraelit, në Angli dërgohet vr*sësi 34-vjeçar
Tre persona të kërkuar ndërkombëtarisht janë ekstraduar së fundmi mes Shqipërisë, Italisë, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve ligjzbatuese.
Nga Italia është sjellë në Shqipëri Sueld Elezi, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas një vendimi të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Ai akuzohet për trafik narkotikësh në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve, në vitin 2020 dyshohet se ka marrë pjesë në trafikimin e rreth 2 kilogramëve kokainë në Itali, ndërsa në vitin 2021 për rreth 932 kilogramë kokainë në të njëjtin shtet.
Ndërkohë, nga Shqipëria është ekstraduar në Gjermani shtetasi Roy Garin, 43 vjeç, banues në Izrael. Ai kërkohej nga autoritetet gjermane për organizim kriminal dhe mashtrime me shuma të mëdha në 33 raste.
Një tjetër ekstradim ka ndodhur drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku është dërguar Altin Shehu, 34 vjeç. Ai kërkohej nga gjykata britanike për një çështje të lidhur me vrasje, pas një urdhër arresti të lëshuar në janar 2026 nga Gjykata e Kentit të Veriut.
Autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë vijojnë bashkëpunimin për ekstradimin e personave të kërkuar dhe ndjekjen e tyre penale në vendet përkatëse.

