K*kaina me 'delivery' në Itali/ 'Çmontohet' organizata kriminale shqiptare, mes tyre 16 të arrestuar. Ja si operonte grupi për shpërndarjen e lëndës

Një operacion i madh antidrogë është zhvilluar në Itali, në zonën e L’Aquila-s, ku është goditur një grup i dyshuar kriminal me pjesëmarrje të shtetasve shqiptarë.

Autoritetet italiane kanë vënë nën hetim 40 persona, kanë arrestuar 16 prej tyre me vendim gjykate dhe kanë vendosur masa më të lehta sigurie për 9 të tjerë.

Sipas hetimeve, grupi merrej me shpërndarjen e kokainës në mënyrë të organizuar, duke përdorur mesazhe të koduara dhe shpërndarje “deri në derë”.

Hetuesit thonë se disa nga të përfshirët kishin ardhur nga Shqipëria me viza turistike dhe ishin kryesisht të rinj pa precedentë penalë. Ata lëviznin shpesh mes Romës dhe L’Aquila-s, qëndronin në apartamente me qira dhe përdornin telefona e karta SIM të ndryshme për të mos u gjurmuar lehtë.

Sipas karabinierëve, shpërndarja bëhej në doza të vogla, që në rast ndalimi të dukej si trafik i thjeshtë dhe jo pjesë e një rrjeti më të madh.

Ndërkohë, pas këtyre rasteve të përsëritura, hetimet kanë zbuluar një strukturë më të gjerë që dyshohet se furnizonte dhe organizonte shpërndarjen e drogës në zonë.

Autoritetet thonë se grupi kishte lidhje edhe jashtë Italisë dhe funksiononte me një sistem të vazhdueshëm rekrutimi dhe zëvendësimi të shpërndarësve.

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth një kilogram kokainë dhe janë identifikuar mbi 100 përdorues. Hetuesit vlerësojnë se janë shitur mijëra doza droge dhe janë qarkulluar dhjetëra mijëra euro.

Hetimet vijojnë për të zbuluar të gjithë rrjetin dhe personat që qëndrojnë pas tij.