PROTESTA PËR RMV NË TIRANË/ Studenti nga Shkupi thirrje për qeverinë maqedonase: Gjuha shqipe është amanet, ne nuk do të heshtim!
Në protestën e zhvilluar dit në Tiranë në mbështetje të përdorimit dhe mbrojtjes së gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, një prej studentëve pjesëmarrës mbajti një fjalim ku theksoi se çështja e gjuhës po shndërrohet në një problem me karakter kombëtar.
Studenti nga Maqedonia e Veriut u shpreh se shqiptarët nuk po kërkojnë privilegje, por barazi dhe respekt për gjuhën e tyre amtare.
“Na thanë se jemi vetëm, se do të lodhemi! E kishin gabim. Kush foli për ju, kush flet për ne, heshtën? Kur vjen dita për të zgjedhur mes karriges dhe gjuhës amtare, zgjedhin karrigen! Ne jo, ne nuk heshtim,” u shpreh ai.
Ai theksoi se gjuha shqipe përbën identitet dhe trashëgimi të brezave, duke shtuar se ajo ka qenë faktor bashkimi dhe qëndrese në kohë të ndryshme historike.
“Gjuha shqipe është kujtesa jonë, amaneti që na kanë lënë brezat që nuk u përkulën kurrë. Gjuha na mbajti gjallë kur perandoritë erdhën dhe ranë. Gjuha na bashkoi kur na ndanë,” tha studenti.
Duke iu referuar situatës aktuale, ai kritikoi praktikat që, sipas tij, kufizojnë përdorimin e gjuhës shqipe.
“Sot na thonë se duhet të kërkojmë leje për ta përdorur? Jo, kurrë! Ne s’kemi karrige për të ruajtur, ne kemi vetëm gjuhën tonë,” u shpreh ai.
Studenti theksoi gjithashtu se ajo që fillimisht ishte një shqetësim në fushën e drejtësisë, sipas tij, tashmë po merr dimension kombëtar, duke kërkuar unitet dhe qëndresë.
“Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon. Sot na takon vetëm një mesazh: ne jemi një dhe të tillë do të qëndrojmë,” përfundoi ai.
