Reka: Armëmbajtja pa leje po shihet si “modë” tek të rinjtë

Avokatja Klaudia Reka ishte e ftuar këtë të martë në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musaj, ku foli për fenomenin e armëmbajtjes pa leje dhe rrezikun që ai paraqet tek të rinjtë.

Gjatë intervistës, Reka theksoi se nga pikëpamja juridike armëmbajtja pa leje konsiderohet një ndër veprat më të rënda në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Ajo iu referua Nenit 278, i cili e cilëson këtë vepër si shkelje të rëndë juridike.

Sipas avokates, fenomeni është përhapur ndjeshëm tek të rinjtë, ndërsa mbajtja e armëve të ftohta apo armëve të zjarrit po perceptohet si një mënyrë për t’u dukur më të fortë dhe më të mbrojtur në shoqëri.

Ajo paralajmëroi se përdorimi i armëve gjatë konflikteve apo sherreve, qoftë edhe nga pakujdesia, mund të sjellë pasoja të rënda deri në humbje jete.