Gra që mbanin gurë, burra në hije/ Bardhoshi zbërthen si u dokumentua Shqipëria e viteve ’50-’60 përmes fotografisë antropologjike
Në emisionin “Ora e Betit” në Ora News ishte i ftuar antropologu Nebih Bardhoshi, i cili diskutoi mbi arkivin fotografik të Rrok Zojzit dhe mënyrën se si ai ka dokumentuar jetën shqiptare gjatë viteve ’50–’60.
Bardhoshi u ndal te një fotografi e njohur e asaj periudhe, ku shihen gra duke mbajtur gurë për ndërtimin e një shkolle fshati, ndërsa burrat qëndrojnë në hije.
Sipas tij, imazhi mbart një peshë të fortë sociale, por njëkohësisht është edhe një nga kompozimet më të arrira të asaj kohe.
“Janë të gjitha të ngarkuara me gurë… kjo është e trishtë, por edhe një fotografi shumë e ndërtuar mirë. Tregon procesin e kolektivizimit në fshat dhe realitetin e kohës.”-tha Bardhoshi.
Ai shton se fotografia e Rrok Zojzit nuk është e inskenuar, por e kapur në moment, duke pasqyruar jetën e përditshme ashtu siç ndodhte.
“Fotot e Rrokut janë si kanë ndodhur, nuk janë të inskenuara. Ai ka kërkuar të kapë përditshmërinë dhe detajet antropologjike të jetës shqiptare.”-shtoi Bardhoshi.
Sipas tij, qasja e Zojzit lidhet me atë që ai e quan “kohësia e fotos zojziane”, ku fokusi nuk është vetëm te imazhi, por te dokumentimi i kulturës, krahinave dhe veçorive historike të vendit.
Bardhoshi thekson se puna e Zojzit mbetet një dëshmi e rëndësishme e Shqipërisë së asaj periudhe, para ndryshimeve që solli sistemi i mëvonshëm.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

