Në tokën e erërave dhe vullkaneve/ Bukuria, vështirësia dhe 7 mijë vjet histori të ishujve Eolie, pasuri e UNESCO-s

“Ëndrra ime është të jetoj në një ishull me librat e autorëve të preferuar.”
“Pleqërinë dua ta kaloj në një ishull, me një gotë verë përballë perëndimit.”
“Një ditë do të largohem nga qyteti dhe do të jetoj në një ishull.”

Janë fjali që i kemi dëgjuar shpesh. Disa i thonë nga lodhja e ritmit modern, disa nga dëshira për qetësi, e të tjerë nga bindja romantike se diku ekziston ende një vend ku koha ecën më ngadalë. Ishulli mbetet simbol i lirisë, heshtjes dhe arratisjes perfekte.

Por si është në të vërtetë jeta në një ishull? Jo në kartolina turistike, jo në fotografitë me det blu dhe tavolina druri buzë perëndimit, por në realitetin e përditshëm.

Për ta kuptuar këtë, nisa udhëtimin drejt ishujve Eolie, arkipelag vulkanik në veri të Sicilisë, në Detin Tirren, jo shumë larg brigjeve shqiptare. Shtatë ishuj të vegjël, të lindur nga zjarri i vullkaneve, të rrethuar nga erërat dhe të mbushur me histori që shtrihen për më shumë se shtatë mijë vjet.

Udhëtimi drejt tokës së Eolos

Nga Roma drejt jugut italian udhëtimi është i gjatë, por i bukur. Me një nga linjat e shpejta të Trenitalia mbërrij në Villa San Giovanni pas rreth pesë orësh. Qyteza kalabreze ka qenë javët e fundit në qendër të debatit publik italian për protestat kundër ndërtimit të Urës së Messinës, një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore që qeveria e Giorgia Melonit dhe ministri i Transporteve Matteo Salvini kërkojnë të realizojnë.

Nga Villa San Giovanni një anije e shpejtë përshkon ngushticën e Messinës. Pak minuta më vonë jam në Sicili.

Messina është qytet me ngjyra mesdhetare dhe histori të rëndë mbi shpinë. Qytetërime të tëra kanë kaluar këtej. Porti duket si një terminal urban ku anijet hyjnë e dalin pa pushim.

Një transfertë më pret për të vazhduar drejt Milazzos, qytetit-port që lidh Sicilinë me arkipelagun e Eolieve. Milazzo ka pamjen tipike të jugut italian: rrugë të ngushta, port peshkimi, ndërtesa me ngjyra të ngrohta dhe një kështjellë mesjetare që dominon horizontin.

Nëse do të kuptosh një qytet, bisedën e parë duhet ta bësh gjithmonë me taksistin.

Nisemi drejt Milazzos mes rrugëve që mbajnë ende plagët e ciklonit të tre muajve më parë. Pemë shekullore të rrëzuara, trungje gjigante të shkulura me rrënjë dhe banesa që ende nuk kanë rikuperuar dëmet.

“Eh, i fortë ishte ai ciklon”, thotë shoferi në dialektin e tij sicilian. “Uji hyri deri në katet e dyta të hoteleve. Shkatërroi restorante, biznese, rrugë...”

“Po për Urën e Messinës çfarë mendon?”, e pyes.

“Na duhen më parë aeroporte të vegjël, porte funksionale dhe rrugë normale”, përgjigjet ai. “Për të shkuar nga Messina në Katania humbasim orë të tëra në trafik. Si mund të mendosh të lidhësh Sicilinë me kontinentin kur transporti lokal është problem?”

Pak më vonë, një tjetër anije largohet nga Milazzo drejt arkipelagut vulkanik të Eolieve.

Ishujt e erërave

Sapo afrohesh, kupton menjëherë pse këta ishuj mbajnë emrin e Eolos, zotit të erërave në mitologjinë greke. Era fryn fort edhe në mesin e majit. Deti ndryshon ngjyrë çdo pak minuta, nga blu e errët në jeshile smeraldi.

Ishujt Eolie përbëhen nga shtatë ishuj kryesorë: Lipari, Vulcano, Salina, Stromboli, Panarea, Filicudi dhe Alicudi.

Arkipelagu ndodhet në Detin Tirren, rreth 30 deri në 80 kilometra larg brigjeve verilindore të Sicilisë. Ishujt janë maja të një sistemi të madh vullkanik nënujor që vazhdon ende të jetë aktiv.

Në vitin 2000, UNESCO i shpalli pasuri botërore për rëndësinë unike gjeologjike dhe aktivitetin e tyre vullkanik. Ishujt konsiderohen laborator natyror për studimin e vullkaneve dhe formimit të Tokës.

“Janë 7 mijë vjet histori”, thonë banorët. “Shtatë ishuj, të gjithë të ndryshëm nga njëri-tjetri, ku nuk mërzitesh kurrë.”

Në dimër, në gjithë arkipelagun jetojnë rreth 14 mijë banorë. Vetëm Lipari ka mbi 12 mijë banorë dhe konsiderohet zemra ekonomike dhe administrative e Eolieve. Vulcano ka rreth 400-500 banorë rezidentë, Panarea më pak se 300, ndërsa Alicudi dhe Filicudi janë ishuj të vegjël ku dimrit mbeten vetëm disa dhjetëra familje.

Por në verë gjithçka ndryshon. Popullsia shumëfishohet nga turizmi. Jahtet mbushin portet, restorantet qëndrojnë hapur deri në agim dhe ishujt kthehen në një nga destinacionet më ekskluzive të Mesdheut.

Ekonomia e ishujve mbështetet pothuajse tërësisht tek turizmi, vera, prodhimi i kaperit, peshkimi dhe gastronomia lokale. Në dekadat e fundit shumë banorë kanë investuar në bujtina, restorante, kantina vere dhe struktura turistike. Por izolimi dhe kostot e jetesës mbeten sfida të mëdha, sidomos gjatë dimrit.

Lipari, zemra e Eolieve

Lipari është motra e madhe e arkipelagut, kryeqendra administrative dhe ishulli ku jeton pjesa më e madhe e popullsisë.

“Ari i gjelbër” i Eolieve

Kapera ose “capperi”, siç i quajnë italianët, është një nga simbolet më të rëndësishme të Ishujve Eolie dhe konsiderohet “ari i gjelbër” i arkipelagut. Kjo bimë e vogël, që rritet spontanisht mes shkëmbinjve vullkanikë dhe reziston ndaj thatësirës, kultivohet prej shekujsh nga banorët e ishujve, sidomos në Salina, Lipari dhe Vulcano. Historikisht, capperi kanë qenë një nga burimet kryesore të ekonomisë lokale shumë kohë përpara se turizmi të bëhej industria dominante e Eolieve. Dokumente të vjetra tregojnë se tregtarët mesdhetarë i eksportonin drejt Napolit dhe porteve të tjera italiane që në shekujt XVIII-XIX. Sot, “Cappero di Salina” konsiderohet ndër produktet më cilësore të Italisë dhe mban markën IGP (Indicazione Geografica Protetta), që garanton origjinën dhe cilësinë. Çdo vit prodhohen dhjetëra tonë capperi, të cilat përdoren në gastronominë siciliane, në sallata, pjata me peshk, pasta dhe konserva tradicionale. Procesi i mbledhjes vazhdon ende të bëhet kryesisht me dorë gjatë muajve të verës, mbi toka të pjerrëta vullkanike. Për banorët e ishujve, capperi nuk janë thjesht produkt bujqësor, por pjesë e identitetit kulturor dhe historisë së Eolieve.
Një tjetër element që tërheq vëmendjen janë shtëpitë tradicionale eoliane.

Në banesat tradicionale të Liparit, çatia është e sheshtë dhe ndërtohet me trarë druri, shtresa kallamash dhe një material izolues të krijuar nga llaçi pozzolanik vulkanik. Kjo mbulesë tradicionale quhet “astriku”. Ajo mbron shtëpitë nga nxehtësia, mbledh ujin e shiut në cisterna dhe i bën banesat më rezistente ndaj tërmeteve.

Lipari ruan ende gjurmët e ekonomisë së dikurshme minerare.

Për dekada ekonomia e ishullit jetoi nga nxjerrja e gurit të bardhë vullkanik, pumicit, por edhe nga obsidiana, minerali i zi vullkanik që banorët e quajnë “guri i zjarrit”.

Obsidiana krijohet kur llava ftohet shumë shpejt dhe merr pamjen e një xhami të zi me shkëlqim.

Në kohët prehistorike, obsidiana e Liparit eksportohej në gjithë Mesdheun dhe përdorej për armë, vegla prerëse dhe objekte rituale. Ishte një nga materialet më të çmuara të epokës neolitike dhe një prej arsyeve pse ishujt u kthyen herët në qendra tregtare të Mesdheut.

Sot e gjen kudo në Lipari: në hyrje shtëpish, në dyqane suveniresh, në varëse, byzylykë dhe objekte artizanale.

Pas shpalljes së ishujve pasuri të UNESCO-s, aktiviteti industrial u ndal për të mbrojtur peizazhin natyror.

“Shumë familje humbën punën”, thotë Gaetano. “Por më pas të gjithë kuptuan se e ardhmja ishte turizmi, vera, kapera dhe identiteti i ishullit.”

Tokë vullkanesh, verërash dhe aromash

Në shpatet vullkanike të Eolieve prodhohen disa nga verërat më të veçanta të Mesdheut.

Vreshtat rriten mbi tokë të pasur me hi dhe minerale vullkanike, shpesh të mbjella në tarraca të ngushta që zbresin drejt detit. Banorët thonë se pikërisht toka e krijuar nga vullkanet u jep verërave aromën minerale dhe karakterin unik që nuk gjendet askund tjetër.

Varietetet autoktone si Malvasia delle Lipari dhe Corinto Nero kultivohen prej shekujsh në kushte të vështira, mes erërave të forta dhe mungesës së ujit.

Një prej emrave më të respektuar të gastronomisë eoliane është edhe Lucio Bernardi, i cili prej vitesh konsiderohet ambasador i kuzhinës tradicionale të ishujve. Me një filozofi që bashkon produktin lokal, peshkun e freskët, kaperin, agrumet dhe aromat mesdhetare me teknikat moderne të gatimit, Bernardi ka arritur ta kthejë kuzhinën e Eolieve në një eksperiencë identitare.

Për Chef Bernardin, gatimi nuk është vetëm shije.

“Është mënyra për të treguar historinë, kulturën dhe shpirtin e këtyre ishujve.”

Mes sipërmarrjeve më karakteristike të Liparit janë edhe kompanitë artizanale të parfumeve, të cilat kanë arritur të kthejnë aromat e ishujve në identitet.

Profumi di Lipari, e drejtuar nga Serena Natoli, është një prej emrave më të njohur në këtë sektor. Agrumet, lulet e egra mesdhetare, aroma e detit, kapera dhe bimët aromatike të rritura në tokën vullkanike shndërrohen në parfume, kremra dhe produkte kozmetike që tregojnë shpirtin e Eolieve.

Për banorët, parfumet nuk janë thjesht produkte turistike, por mënyrë për të ruajtur kujtesën e ishullit.

“Kush mban një parfum të Liparit, merr me vete aromën e erës, detit dhe vullkanit”, thonë prodhuesit lokalë.

Kur deti mbyllet

Ditën e dytë moti përkeqësohet. Era forcohet dhe lundrimet anulohen.

Ata që duhet të udhëtojnë për punë, shkollë apo vizita mjekësore mbeten të bllokuar. Nisemi drejt Salinës, por dallgët janë aq të larta sa anija nuk mund të ankorohet.

Kthehemi sërish në Lipari.

Vetëm atëherë kupton realisht çfarë do të thotë të jetosh në një ishull.

Po sikur kjo stuhi të zgjasë me javë?
Si mbërrijnë ushqimet?
Çfarë ndodh me të sëmurët?
Si largohen studentët?

Në një restorant kërkoj një djathë tipik.

“Kompania nuk mundi ta sillte sot”, thotë kamerieri. “Deti ishte i mbyllur.”

Mjafton një ditë me erë që ritmi i jetës të ndryshojë plotësisht.

Vulcano, ishulli që jeton me zjarrin

Ditën tjetër moti më në fund qetësohet dhe nisem drejt Vulcanos.

Ky ishull me rreth 700 banorë duket si një planet tjetër. Era e squfurit ndihet sapo zbret nga anija. Shpatet e zeza vullkanike zbresin drejt detit, ndërsa toka nxjerr avuj të nxehtë.

Vullkanizmi këtu nuk është teori shkencore. Është pjesë e jetës së përditshme.

Balta termale e Vulcanos ka qenë për dekada një prej atraksioneve më të famshme të ishullit. Pellgjet me baltë sulfurike përdoren për trajtime të lëkurës, reumatizmës dhe problemeve respiratore.

Turistë gjermanë, francezë dhe italianë mbërrijnë çdo vit për banjat termale, kremrat dhe produktet kozmetike të bazuara në sulfur.

Në Vulcano dhe në ishujt e tjerë të arkipelagut jetojnë edhe shqiptarë. Në Ishujt Eolie, qytetarët shqiptarë rezidentë përbëjnë një minorancë shumë të vogël, e vlerësuar në rreth 100 deri në 150 persona në gjithë arkipelagun. Megjithatë, ata konsiderohen një nga komunitetet e huaja më të qëndrueshme dhe më të integruara të territorit.
Shumë prej tyre kanë kaluar vite të tëra në ishuj duke punuar në turizëm, restorante, struktura hoteliere apo shërbime detare, duke u bërë pjesë e jetës së përditshme të komunitetit lokal.

Një vajzë që na shoqëron tregon se familja e saj sapo është transferuar në Torino.

“Jetuam vite të tëra në ishull”, thotë ajo, “por fëmijët u larguan për shkollë e punë dhe vendosëm të iknim edhe ne.”

Është historia e shumë familjeve të ishujve të vegjël mesdhetarë: të rinjtë largohen, ndërsa ishujt plaken gradualisht.

Luksi i heshtur mbi vullkan

Një prej vendeve më spektakolare të Vulcanos është Therasia Resort Sea & Spa.

Nga tarraca duket gjithë arkipelagu i Eolieve. Në horizont shfaqen Lipari, Panarea dhe në ditët e kthjellëta edhe Stromboli.

Ky resort me pesë yje është kthyer në simbolin e luksit të heshtur mes shkëmbinjve vullkanikë.

Katër restorantet e tij kanë sjellë gastronominë e ishujve në elitën europiane.

Restoranti “I Tenerumi”, i drejtuar nga Davide Guidara, është restoranti i parë vegetarian në Europë që fitoi dy yje Michelin dhe yllin e gjelbër për qëndrueshmërinë.

Ndërsa “Il Cappero” interpreton kuzhinën siciliane me teknika moderne dhe produkte lokale.

Në darkën gala të organizuar nga Brand Eolie, kuzhinieri Antonio Buscema prezanton pjatat tradicionale të ishujve me një interpretim modern.

“Kur gatuan në Eolie duhet të respektosh detin, erën dhe tokën vullkanike”, thotë ai.

Mbrëmja mbyllet me muzikën e grupit tradicional Cantori Popolari delle Isole Eolie, i cili në vitin 2026 feston 50-vjetorin e krijimit.

Këngët popullore eoliane, ritmet mesdhetare dhe kostumet tradicionale krijojnë atmosferën autentike të një bote që duket sikur jeton ende mes legjendës dhe realitetit.

Bukuria dhe vetmia e ishullit

Ëndrra për të jetuar në një ishull mbetet e bukur.

Të zgjohesh me zhurmën e dallgëve, të pish verë përballë perëndimit dhe të jetosh mes detit, erës dhe qetësisë duket si arratisja perfekte nga kaosi modern.

Por askush nuk mund ta kuptojë vërtet jetën në ishull pa e jetuar.

Mjafton një erë e fortë që lundrimet të anulohen. Mjafton një stuhi apo një ciklon që ishulli të izolohet për ditë të tëra. Mjaftojnë dallgët e larta që ushqimet të mos mbërrijnë, njerëzit të mos udhëtojnë dot për punë, studentët të mbeten të bllokuar dhe familjet të presin hapjen e detit si një lajm shpëtimi.

Banorët e Eolieve kanë mësuar të jetojnë me pasigurinë e motit, me erërat e forta, me vullkanet aktive dhe me largësinë nga kontinenti.

Dhe ndoshta pikërisht kjo i bën kaq të fortë, kaq krenarë dhe kaq të lidhur me tokën e tyre.

Sepse ishulli nuk është vetëm poezi.

Është një mënyrë jetese që duhet ta pranosh me gjithë bukurinë, vetminë dhe vështirësinë e saj.