Shoqata “Tirana” nderon 5 figura të shquara me titullin “Fisnikëria Tiranase” për kontributin në vend
Shoqata “Tirana” nderoi me titullin “Fisnikëria Tiranase” pesë figura të shquara për kontributin e tyre në Shqipëri.
Vlerësimi për ish-kryeministrin Koço Kota iu dorëzua pasardhësve të tij nga ish-presidenti Bamir Topi.
Në ceremoni nuk munguan deklaratat për lënien në harresë të figurave si Kota dhe ngritjen e personaliteteve të periudhës së regjimit komunist. Madje, gjatë marrjes së titullit u propozua që të riemërtohet rruga “Qemal Stafa” në Tiranë me emrin e ish-zyrtarit Kota.
Nderimet vazhduan edhe me personalitete të tjera, si ish-arbitri i FIFA-s, Hyqmet Kuka. Mjekët Xhelal Ahmetaj dhe Shefki Meta u vlerësuan për kontributin e tyre, si dhe eksperti i agronomisë Bedri Hajdari.
Ceremonia u zhvillua me rastin e 35-vjetorit të shoqatës, e cila mban titullin “Nderi i Kombit”.
Si përfaqësuese e vlerave dhe traditës kryeqytetase, Shoqata “Tirana”, e drejtuar nga Ruzhdi Keçi, është ndër organizatat e para në Shqipëri të themeluara pas rënies së komunizmit.

