I jepet lamtumira Birçe Haskos/ Zhvillohen sot homazhet në nder të aktorit ikonë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit

Sot në orën 10:00, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të zhvillohen homazhet në nder të aktorit të njohur shqiptar Birçe Hasko, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 84-vjeçare.

Largimi i tij ka sjellë dhimbje në botën e artit dhe tek publiku shqiptar, që për dekada e ndoqi në teatër dhe kinematografi. Birçe Hasko konsiderohej një nga emrat më të dashur të skenës shqiptare, i njohur për mënyrën unike të interpretimit dhe karakteret popullore që solli në ekran.

Një nga rolet më të spikatura të tij ishte ai i Milo Tafanit në filmin “Shi në Plazh”, personazh që mbeti gjatë në kujtesën e publikut. Edhe pse shpesh interpretonte role dytësore, ai arrinte t’u jepte jetë personazheve me origjinalitet, humor dhe emocione të forta.

Birçe Hasko lindi më 15 mars 1942 në Dukat të Vlorës. Fillimisht zgjodhi profesionin e mësuesit, pasi përfundoi shkollën pedagogjike “Jani Minga”, por më pas iu përkushtua artit të aktrimit.

Në vitin 1965 nisi studimet në Institutin e Lartë të Arteve dhe pas diplomimit u bë pjesë e Akademisë së Arteve si pedagog i mjeshtërisë së aktorit.

Për disa vite ai mbajti edhe detyrën e dekanit të Fakultetit të Artit Skenik, ndërsa gjatë karrierës u nderua me titujt “Artist i Merituar”, “Profesor” dhe “Mjeshtër i Madh”.

Me interpretimet dhe stilin e tij të veçantë, Birçe Hasko la pas një trashëgimi të rëndësishme në artin shqiptar dhe do të kujtohet si një nga figurat më karakteristike të kinemasë dhe teatrit shqiptar.