NDRYSHE, POR PËR TË GJITHË NJËSOJ/ Projekti nga trumpetistja autike Robyn Steward sjell një model të ri
Në Londër po zhvillohet një model i ri i jetës së natës përmes një projekti të krijuar nga trumpetistja autike Robin Stjuward. Nisma synon të krijojë hapësira gjithëpërfshirëse për persona neurodivergjentë dhe artistë me aftësi të kufizuara, duke ndryshuar mënyrën se si konceptohen klubet muzikore.
Në zemër të skenës alternative londineze, një lloj mbrëmjeje muzikore po ndryshon mënyrën se si konceptohet jeta e natës për personat neurodivergjentë dhe artistët me aftësi të kufizuara.
Projekti “Robyn’s Rocket”, i krijuar nga trumpetistja autike Robyn Steward, po sjell një model të ri për klubet muzikore: gjithëpërfshirës, eksperimental dhe të ndërtuar mbi barazinë sociale.
Steward, 39 vjeç, e cila jeton me autizëm dhe paralizë cerebrale, tregon se për vite me radhë klubet e natës nuk kanë qenë ambiente të sigurta apo komode për të.
Dritat stroboskopike dhe zhurma e fortë shpesh i shkaktonin mbingarkesë ndijore dhe migrenë.
Ndaj ajo vendosi të sillte “Robyn’s Rocket”, një natë muzikore që kombinon muzikën eksperimentale, performancat improvizuese dhe artin vizual.
Qëllimi kryesor nuk është ndarja e komuniteteve, por integrimi i tyre.
Me trumpetën në dorë dhe kapelen e saj karakteristike ngjyrë vjollcë, Robyn Steward vazhdon të sfidojë kufijtë tradicionalë.
Steëard beson se personat neurodivergjentë dhe ata jo-neurodivergjentë duhet të ndajnë të njëjtën hapësirë pa paragjykime dhe pa hierarki sociale.
Çdo detaj është menduar për ta bërë publikun të ndihet i sigurt. Vizitorët marrin simbole në formë rakete për të treguar sa të gatshëm janë për komunikim social, ndërsa organizatorët përdorin tabela vizuale, ngjyra dhe udhëzime të qarta për të shmangur konfuzionin apo ankthin.
Artistë të njohur të skenës eksperimentale britanike kanë performuar në këto mbrëmje, ndërsa komuniteti artistik e konsideron projektin si një nga nismat më inovative të kulturës alternative në Londër.
