“Dua” triumfon në Kanë, Basholli: Çmim i madh për kinematografinë kosovare
Filmi “Dua” i regjisores kosovare Blerta Basholli e ka vendosur Kosovën në ajkën botërore të filmit.
Pas premierës emocionale në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cannes, filmi ka fituar çmimin prestigjioz “SACD”, që ndahet nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë në kuadër të seksionit të njohur “Semaine de la Critique”.
Ky vlerësim konsiderohet një prej çmimeve më të rëndësishme autoriale në Francë dhe një tjetër sukses i madh për kinematografinë kosovare.
E emocionuar pas triumfit, Basholli tha për KosovaPress se ky çmim ka peshë të veçantë, sidomos për faktin se filmi buron nga një rrëfim shumë personal.
Suksesi bëhet edhe më i madh kur dihet se në “Semaine de la Critique” janë përzgjedhur vetëm shtatë filma nga mbi 1050 aplikime nga e gjithë bota.
Premiera e filmit në Cannes u shndërrua në një moment të paharrueshëm për ekipin, pasi publiku e priti me duartrokitje të gjata.
Filmi “Dua” rrëfen jetën, ëndrrat dhe sfidat e të rinjve në kohë konflikti, në këtë rast të luftës në Kosovë. Ndërsa Basholli ka treguar se edhe vetë titulli bart një simbolikë të dyfishtë.
Ajo ka zbuluar se një prej sfidave më të mëdha gjatë realizimit të filmit ka qenë rikrijimi autentik i Prishtinës së kohës së luftës, pasi shumë skena janë xhiruar në lokacione reale.
Mesazhi i filmit “Dua”, sipas regjisore Basholli është për t’iu treguar të tjerëve që edhe njerëzit në luftë janë si të tjerët dhe kanë ëndrrat e tyre, veçanërisht adoleshentët.
Pas suksesit në Cannes, “Dua” tashmë ka marrë ftesa për festivale të tjera ndërkombëtare në Francë, Gjermani e Bosnjë, ndërsa pritet të shfaqet edhe në PriFest në Prishtinë.
Ky film është një dramë që rrëfen jetën e një adoleshenteje në Kosovën e kohës së luftës, duke sjellë në fokus ëndrrat, frikërat dhe betejën për dinjitet në mes të konfliktit.
Ngjarja zhvillohet në Prishtinë dhe përcjell përpjekjen e të rinjve për ta ruajtur humanizmin dhe identitetin e tyre, edhe në rrethana të jashtëzakonshme. Përmes personazhit kryesor, filmi trajton temat e rritjes, shpresës dhe dëshirës për një jetë normale, pavarësisht realitetit të luftës./KosovaPress

