Homazhe për Birçe Haskon, arti shqiptar i jep lamtumirën aktorit të njohur
Familjarë, akademikë dhe përfaqësues të artit shqiptar i dhanë këtë të diel lamtumirën e fundit aktorit të njohur Birçe Hasko.
Në ambientet e Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, nga ora 10:00 deri në 12:00 u zhvilluan homazhet në nder të “Mjeshtrit të Madh”, ku dhjetëra qytetarë, kolegë dhe miq u përkulën me respekt para figurës së një prej emrave më të spikatur të skenës dhe kinematografisë shqiptare.
Në homazhe u vlerësua kontributi i tij i gjatë artistik dhe ndikimi që ka dhënë në formimin e brezave të rinj të aktorëve shqiptarë.
Aktori Petrit Malaj përkujtoi Birçe Haskon si mentor, pedagog dhe njeri shumë të dashur për të. Ai shprehet se dimensioni njerëzor aq i spikatur në rolet e tij vinte për shkak se Hasko e njihte mirë jetën dhe ishte një këshillë që ua jepte gjithnjë.
“Skena ka humbur aktorin e karaktereve, aktorin e mrekullueshëm që njerëzit e donin shumë sepse profesor Birçe Hasko ishte një nga aktorët që e njihte jetën më shumë se të gjithë. Kam ndier trishtim shumë të madh, më ka ikur një njeri që më donte dhe e doja shumë”, tha Malaj.
Regjisori Kiço Londo e cilësoi Haskon si një figurë që më shumë se mjeshtërinë e aktorit, përcillte njerëzoren dhe shembullin personal në punën e tij.
“Kam pasur fatin që ta kem pedagog në Akademinë e Arteve. Është një ikje e trishtueshme. Ishte një njeri që më shumë sesa mjeshtërinë e aktorit teknikisht, na mësoi njerëzoren. Nuk predikonte, udhëhiqte me shembullin e tij”, tha Londo
Edhe aktori Timo Flloko vlerësoi integritetin dhe kontributin e tij të çmuar në artin skenik shqiptar.
“Ai ishte një personalitet me një integritet qytetar e njerëzor të pashembullt në dimensionin artistik ai ka vendin e vet në kinematografinë shqiptare ku krijoi një sërë karakteresh interesantë. Vlerat e tij janë edhe në drejtim të edukimit që i dha brezit të ri”, u shpreh Flloko.
Me ndarjen nga jeta në moshën 84-vjeçare, Birçe Hasko lë pas një trashëgimi të rëndësishme në teatrin dhe kinematografinë shqiptare, duke mbetur një figurë e respektuar në kujtesën e artit dhe publikut.
Birçe Hasko do të prehet në vendlindjen e tij në Dukat.

