”Fjord” i regjisorit rumun, Mungiu fiton ”Palmën e Artë”
Juria e Festivalit të 79-të të Filmit në Kanë i dha ”Palmën e Artë” filmit “Fjord” nga regjisori rumun Cristian Mungiu.
Kjo është Palma e tij e dytë e Artë, pas asaj që iu dha filmit “4 Months, 3 Weeks and 2 Days” në 2007.
Në “Fjord”, i frymëzuar nga ngjarje të vërteta, regjisori e vendos historinë e tij në Norvegji për t’u përballur me kontradiktat e një shoqërie që predikon tolerancën dhe hapjen ndaj të tjerëve, por mund t’i përjashtojë brutalisht ata që devijojnë nga rruga e përcaktuar për ta.
Duke fituar Palmën e Artë të dytë në Kanë, regjisori rumun Cristian Mungiu i bashkohet një klubi shumë ekskluziv regjisorësh dhe konfirmon talentin e tij si një vëzhgues i mprehtë i përçarjeve në vendin e tij dhe shoqërinë perëndimore.
Ky film është “një mesazh për tolerancë, për përfshirje, për empati. Këto janë terma të bukur që të gjithë i duam, por duhet t’i zbatojmë më shpesh”, deklaroi ai pasi mori ”Palmën e Artë”.
I frymëzuar nga ngjarje të vërteta, “Fjord” rezonon me historinë personale të Cristian Mungiu, i cili sonte u bë regjisori i dhjetë që fitoi dy çmime Palme d’Or, duke u bashkuar me radhët e Francis Ford Coppola, Ken Loach dhe Michael Haneke.
I lindur në vitin 1968 në Jashi (Rumania verilindore), regjisori 58-vjeçar u rrit nën zgjedhën e diktatorit rumun Nikolae Çaushesku, i cili e sundoi vendin me grusht të hekurt në emër të një komunizmi që promovonte emancipimin, por shtypte popullin.
“Unë u rrita nën një regjim që e dinte më mirë se ne, qytetarët, se çfarë na duhej”, tha ai.
“Mendonim se kishte mbaruar me rënien e komunizmit, dhe tani po zbulojmë se mund të ndodhë, edhe me qëllimet më të mira, në shoqëritë demokratike”, shtoi ai.
Vite më vonë, Cristian Mungiu nuk e ka humbur aspak vendosmërinë e tij për të prekur aty ku dhemb.
“Kinemaja duhet të mbetet kontraverse,” i tha ai AFP-së.
“Mendoj se, në kinema, kemi filluar të humbasim një pjesë të lirisë për të shprehur vërtet atë që mendojmë. Ka shumë filma të rafinuar që konfirmojnë se ideologjia mbizotëruese është e saktë, dhe kjo nuk është ajo që kinemaja duhet të bëjë”, thekson ai.

