Ermonela Jaho vlerësohet nga Franca me titullin “Kalorës i Arteve dhe Letrave”
Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është nderuar me titullin prestigjioz “Kalorëse e Arteve dhe Letërsisë”, një nga vlerësimet më të rëndësishme kulturore në Francë. Gjatë recitalit të saj, Jaho interpretoi vepra nga operat klasike, duke marrë vlerësime të larta nga publiku dhe kritika.
Ermonela Jaho ka shkëlqyer në skenën prestigjioze të Salle Gaveau (Sal Gavo), ku u nderua me titullin “Kalorëse e Arteve dhe Letërsisë”, një dekoratë e rëndësishme e shtetit francez për kontribut në kulturë dhe art.
Vetë sopranoja reagoi online me një mesazh emocionues, duke shkruar: “Marrja sot e titullit të Kalorësit të Arteve dhe Letrave është për mua një emocion i madh dhe një nder thellësisht i dashur për zemrën time, pasi Franca përfaqëson aq shumë dashurinë për artin, kulturën dhe të vërtetën njerëzore.”
Më tej, sopranoja e njohur në nivel ndërkombëtar, u shprehu mirënjohjen njerëzve që e kanë shoqëruar në rrugëtimin e saj.
Recitali i zhvilluar në Paris solli një program të pasur me pjesë nga kompozitorët e mëdhenj të operës si Massenet, Verdi dhe Puccini. Kritika franceze e cilësoi interpretimin e sopranos shqiptare si intensiv, emocional dhe të mbushur me ndjeshmëri artistike.
Gjatë koncertit, Jaho interpretoi role të njohura femërore të operës, duke përcjellë tema si dhimbja, vetmia, sakrifica dhe dashuria. Vlerësime të veçanta mori interpretimi i saj në pjesët nga “Thais”, “Madama Butterfly” dhe “Suor Angelica”.
Sipas kritikëve, sopranoja shqiptare arriti të krijojë një lidhje të fortë emocionale me publikun, duke shmangur efektet teatrale të ekzagjeruara dhe duke u fokusuar tek ndjeshmëria dhe interpretimi i brendshëm i personazheve.
Mbrëmja kulmoi me dorëzimin e dekoratës nga personalitete të kulturës franceze, ndërsa pas ceremonisë Jaho u rikthye në skenë me interpretimin e aries “Io son l’umile ancella”, një moment që u prit me ovacione të gjata nga publiku.
Me këtë vlerësim, Ermonela Jaho konfirmon edhe një herë statusin e saj si një nga emrat më të rëndësishëm të operës shqiptare dhe ndërkombëtare.
