Siguria rrugore pa tolerancë/ Hita në Dibër kërkon prani më të madhe të policisë dhe përdorim të mjeteve inteligjente nëpër akse
Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka zhvilluar takime me strukturat policore në Kukës dhe Dibër, ku ka kërkuar rritje të performancës dhe më shumë angazhim në terren.
Gjatë takimeve është vënë theksi te siguria në shkolla, siguria rrugore, sezoni turistik dhe parandalimi i zjarrvënieve.
Po ashtu është kërkuar forcim i punës për goditjen e paligjshmërisë, përfshirë armëmbajtjen pa leje, shpërndarjen e drogës pranë shkollave, trafiqet, krimet ekonomike dhe krimet kufitare.
Për sigurinë rrugore, është kërkuar monitorim më i madh me mjete teknologjike në akset nacionale, si dhe ndëshkim i shkeljeve në qytete si parkimet e gabuara dhe manovrat e rrezikshme që krijojnë shqetësim për qytetarët.
Në fokus ka qenë edhe rritja e kontrollit në zonat turistike dhe përmirësimi i shërbimit në pikat kufitare, sidomos në periudhat me fluks udhëtarësh.
Për zjarrvëniet, është kërkuar bashkëpunim më i ngushtë me njësitë vendore dhe kontrolle në zonat problematike, sidomos gjatë sezonit të verës.
Në fund të takimeve, është bërë e ditur se policia do të mbështesë punonjësit që kryejnë detyrën me korrektësi, ndërsa do të ketë masa ndaj çdo abuzimi me detyrën.

