Dokumente/Gjyqtari Gentian Luigj Marku, dosja e zezë në Itali dhe mashtrimi me studimet si “Jurist” në Shkodër
Në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë është një gjyqtar i quajtur Gentian Luigj Marku, ndaj të cilit ka shumë denoncime për klientelizëm korruptiv në trajtimin e dosjeve, duke dhënë vendime në favor të atyre që kanë lidhje me kupolën politiko- shtetërore dhe atyre që paguajnë më shumë nëpërmjet sekserëve.
Përveç denoncimeve nga qytetarët, gjatë 12 viteve të tij si gjyqtar në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm të Lezhës, Pukës, Shkodrës e prej 10 muajsh në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, KLGJ dhe ILD duhet t’i hetojnë edhe diplomimin jurist dhe figurën penale gjatë 3 viteve emigrant në Itali.
U largua me dëshirë nga Italia, apo pasi filloi hetimi e kërkimi si hajdut?
Gjyqtari Gentian Marku, më datë 7 gusht 1999, ende pa mbushur 19 vjeç në fshatin Blinisht të Lezhës, dhe në pamundësi për të vazhduar studimet e larta për shkak të notës minimale 5 në maturë, shkoi me gomone në Itali, ku u vendos në zonën Bra të Provincës Cuneo-Torino.
Më datë 20 tetor 2002, pas 3 vitesh emigrant, Gentian Marku u kthye në fshatin e tij Blinisht të Lezhës dhe nuk shkoi e nuk shkon më në Itali, për arsye veprimesh anti-ligjore e penale që ka kryer në atë shtet, sipas të dhënave që i kanë ardhur institucioneve shqiptare.
Në formularin e dekriminalizimit të datës 25 prill 2016, gjyqtari Gentian Marku nuk ka deklaruar masë hetimi, kërkimi, shoqërimi, ndalimi dhe ndjekje nga institucionet ligjzbatuese të Italisë.
Ndërsa në deklarimet gjatë procesit të vettingut, ai deklaroi se nga Italia është kthyer me dëshirë më 10 tetor 2002, një muaj pasi u pajis me leje qëndrimi. Pra, Gentian Marku thotë se braktisi punën në Itali dhe u kthye në fshat në Lezhë, pasi u pajis me leje qëndrimi, por e vërteta është se ai ka ikur nga Italia si subjekt penal i institucioneve ligjzbatuese.
Në zonën Bra dhe Provincën Cuneo të Torinos, Gentian Marku, i maskuar si punëtor ndërtimi e bujqësie, njihej si hajdut biznesesh e motoçikletash, prandaj ia mbathi nga Italia kur u bë subjekt i antikrimit; të cilën duhet ta hetojnë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.
Për dokumentet që i ka kërkuar komisioni i vettingut, Gentian Marku nuk ka shkuar vetë në Itali, duke i justifikuar se më 4 qershor 2020 ka autorizuar avokaten e tij M.B. në Itali e më vonë kushëririn e tij atje, por ato nuk kanë mundur t’i marrin dokumentet me vula zyrtare.

Përse gjyqtari Gentian Marku nuk shkon në Itali për të marrë dokumentet e qëndrimit dhe aktivitetit në periudhën 7 gusht 1999 – 10 tetor 2002, dhe përse i nevojitet avokatja penaliste atje?
Gjyqtari magjistar: Gjatë kohës emigrant në Itali, paska kryer 1 vit studime me kohë të plotë për “Jurist” në Shkodër
Në dosjen e arsimimit, gjyqtari Gentian Marku deklaron se më 15 korrik 2005 ka përfunduar studimet “Cikli 4-vjeçar” dhe u diplomua “Jurist” në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.
Sipas kësaj deklarate, gjyqtari Gentian Marku thotë se ka qenë student me kohë të plotë 4 vitet 2001-2005 në Shkodër; por kjo periudhë studimore nuk përputhet me deklarimin e tij.

Në formularin e dekriminalizimit, gjyqtari Gentian Marku ka deklaruar se deri më 10 tetor 2002 ka qenë emigrant në Itali, ndërsa në dosjen personale të arsimimit që ka Këshilli i Lartë Gjyqësor, deklaron se në vitet 2001-2005 ka qenë student për jurist në Universitetin e Shkodrës.
Sipas përllogaritjes së viteve universitare, rezulton se gjyqtari Gentian Luigj Marku, gjatë kohës që ishte emigrant në Itali në vitet 2001-2002, figuron sikur ka qenë student juridiku me kohë të plotë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.(Vijon)…/Pamfleti
