“NGRI SHKRI” PËR HELMIMIN E POLICËVE Prokuroria i kërkon AKU: Pse zhbllokua kompania e Alma Tafanit

Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar AKU-së të shpjegojë pse u zhbllokua aktiviteti i kompanisë Sori.AL pas helmimit të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, ndërsa po verifikon kontrollet dhe gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore. Hetuesit kanë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore kartelat e studentëve të helmuar, ndërsa administratorja e kompanisë, Alma Tafani, vijon të jetë në arrati.

Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të sqarojë rrethanat dhe arsyet e zhbllokimit të aktivitetit të kompanisë Sori.AL, në pronësi të Alma Tafanit, pasi e bllokoi më herët gjatë hetimit administrativ për skandalin e helmimit të 56 studentëve të Akademisë së Policisë.

Përfaqësuesit e akuzës së kryeqytetit, që po ndjekin përgjegjësitë penale për këtë ngjarje të rëndë, i kanë kërkuar AKU-së dokumentacionin e kontrolleve kur subjekti Sori.AL u bllokua, si dhe materialin mbi të cilin është marrë vendimi i dytë për heqjen e kësaj mase ndaj kompanisë që siguron ushqimin catering për policët e rinj.

Prokuroria e Tiranës, gjithashtu, si pjesë e verifikimeve për skandalin, mësohet se ka sekuestruar kartelat e 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, të cilët u helmuan nga ushqimi, dhe i ka dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për analiza të detajuara.

Grupi i hetimit ka kërkuar gjithashtu dokumente që të tregojnë nëse është kryer më herët apo jo gjurmueshmëria dhe kontrolli i ushqimit dhe produkteve të kompanisë Sori.AL.

Prokurorët kërkojnë të zbulojnë nëse ka pasur kontrolle të tjera dhe cilat kanë qenë rezultatet e tyre.

Për këtë qëllim, pak ditë më parë është marrë në pyetje Ersid Hasanllari, ish-drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për Tiranën, i cili u largua nga detyra pas skandalit të helmimit të studentëve, si edhe drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor.

Skandali I helmimit të studentëve të akademisë së Sigurisë u shënua më 7 maj, kur dhjetra prej tyre kërkuan ndihmë mjekësore, ndërsa një javë më pas, AKU konfirmoi helmim  pasi kishin ngrënë makaronave, të cilat rezultuan me escherichia coli dhe stafilokok.

Ndërsa subjekti Sori.AL u gjobit me 1,500,000 lekë për “ushqim të pasigurt dhe kushte higjieno-sanitare”, thuhet në vendim.

Administratorja e kompanisë Sori.AL, Alma Tafani, u shpall në kërkim policor menjëherë pas skandalit dhe mbetet ende në arrati.