“'Ilaçet janë në spitale'” në ekrane, mungesë në pavijone"/ Qiraxhi: Pacientët përplasen me mjekët për një sistem që nuk funksionon

Në emisionin “Drejt” në Ora News ishte i ftuar Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare”, i cili foli për situatën me furnizimin e barnave në spitalet publike dhe raportin mes institucioneve, mjekëve dhe qytetarëve.

Gjatë diskutimit u ngrit shqetësimi se mungesat e ilaçeve në spitale po përballen nga mjekët, ndërsa në publik përcillet një tjetër realitet përmes deklaratave zyrtare.

Sipas tij, kjo ka krijuar një përplasje të drejtpërdrejtë mes pacientëve dhe stafit mjekësor, ku përgjegjësia shpesh nuk shkon aty ku është problemi real.

“Në fillim pranohej se ka mungesa dhe se duhej financim. Sot përcillet ideja se ilaçet janë të gjitha, ndërkohë që në spitale situata është tjetër.”-tha ai.

Në praktikë, pacientët përballen me mungesa në barnatore spitalore dhe shpesh e shfryjnë pakënaqësinë tek mjekët, të cilët nuk kanë rol në furnizim apo menaxhim.

“Mjeku nuk ka lidhje me menaxhimin e barnave. Ai përballet çdo ditë me qytetarin, ndërsa problemi vjen nga vendimmarrja dhe furnizimi.”-shtoi Qiraxhi.

Diskutimi u fokusua edhe te perceptimi publik, ku sipas tij, narrativa zyrtare nuk përputhet me realitetin në pavijone.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS: