SHOQATA E RESTORANTEVE DHE BUJTINAVE/ Mbledhje me Këshillin Drejtues, diskutime për zhvillimin e sektorit të turizmit
Shoqata e Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare zhvilloi një mbledhje të zgjeruar të Këshillit Drejtues, në një aktivitet ku u ndërthurën diskutimet për zhvillimin e sektorit të turizmit, hotelerisë dhe gastronomisë shqiptare.
Aktiviteti u zhvillua nën drejtimin e kryetarit të shoqatës, Kujtim Dervishi, ku u prezantuan edhe dy anëtarë të rinj që iu bashkuan Këshillit Drejtues.
“Sot jemi mbledhur jo vetëm për të zhvilluar një takim pune por edhe për të forcuar frymën e bashkëpunimit dhe miqësisë që ka shoqëruar shoqatën tonë.”-tha Dervishi.
Në takim morën pjesë personalitete të njohura të jetës publike dhe medias, mes tyre presidenti i “Yldon Media Group”, Ylli Ndroqi, ish-Presidenti i Republikës Bamir Topi, si edhe prefekti i qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari.
Aktiviteti u shoqërua me një atmosferë festive, ku u kremtuan disa momente të rëndësishme, mes tyre edhe ditëlindja e kryetarit të shoqatës, si dhe u ndanë vlerësime për kontributin në kulturë, biznes dhe turizëm.
“Uroj gjithë anëtarët së Shoqatës së bujtinave dhe restoranteve për punën e madhe dhe të jashtëzakonshme që bëjnë”-tha Hajdari.
Në fjalën e tij, prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, u ndal te rëndësia e mbrojtjes së vlerave të vendit dhe zhvillimit të turizmit.
Të pranishmit vlerësuan rolin që Shoqata e Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare ka në promovimin e turizmit shqiptar.
Në ceremoni, që përkoi me ditëlindjen e Kujtim Dervishit, u bë e ditur se atij iu dha edhe titulli “Ambasador i Paqes”, si edhe detyra e këshilltarit për kulturën, biznesin dhe turizmin pranë prefektit të Tiranës.

