"Vetëm 2.9% e PBB-së për shëndetësinë në 2025"/ Lahe: Larg objektivit 4% të vendosur në strategjinë qeveritare
E ftuar në emisionin “Drejt” ishte gazetarja Alma Lahe, e cila foli për situatën e financimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri dhe problematikat që lidhen me buxhetin e këtij sektori.
Sipas saj, pavarësisht se në shifra nominale buxheti i shëndetësisë duket në rritje, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto situata mbetet shqetësuese dhe Shqipëria renditet e fundit në rajon për shpenzimet në këtë sektor.
“Shëndetësia është një nga sektorët më të rëndësishëm që prek çdo qytetar. Por në raport me PBB-në, Shqipëria vijon të jetë në fund të rajonit me rreth 2.9% shpenzime për këtë sektor.”-tha Lahe.
Ajo solli në vëmendje se në vitin 2025 buxheti i shëndetësisë është rreth 76.6 miliardë lekë, por kjo shifër mbetet poshtë objektivave të përcaktuara në strategjinë kombëtare të qeverisë, e cila parashikonte rritje deri në 4% të PBB-së.
“Edhe pse në vlerë nominale buxheti rritet çdo vit, në raport me ekonominë dhe nevojat reale të sistemit shëndetësor, ai mbetet i pamjaftueshëm dhe nën objektivat e vendosura.”-shtoi ajo.
Gjatë emisionit, u theksua se kjo diferencë mes planeve strategjike dhe realitetit financiar ka ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe në funksionimin e spitaleve dhe qendrave shëndetësore në vend.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS:

