"Spitalet rajonale, struktura jofunksionale"/ Mjekja Rahoveci: Nuk kanë specialistë, s'kanë mbështetjen bazë për pacientët

Në emisionin “Drejt” në Ora News ishte e ftuar mjekja Edlira Rehovica, e cila foli për situatën në sistemin shëndetësor dhe ngarkesën në spitalet rajonale.

Gjatë diskutimit u ndal te problemi i referimit të pacientëve drejt qendrave spitalore të kryeqytetit, mungesa e specialistëve dhe infrastruktura e dobët në rrethe.

Sipas saj, spitalet rajonale po funksionojnë me kufizime të mëdha, duke mos arritur të mbulojnë raste që në kushte normale do trajtoheshin aty.

“Spitalet rajonale janë kthyer thuajse në struktura jofunksionale. Nuk kanë specialistë, nuk kanë imazheri, nuk kanë mbështetjen bazë për të trajtuar pacientët.”-tha ajo.

Fluksi i pacientëve drejt kryeqytetit ka sjellë mbingarkesë në qendrat spitalore, ku shpesh shkojnë edhe raste që nuk kërkojnë trajtim terciar.

“Kur mungon infrastruktura në rrethe, pacienti detyrohet të vijë në Tiranë edhe për raste të thjeshta. Kjo krijon mbingarkesë dhe ul cilësinë e shërbimit në të gjithë sistemin.”-shtoi mjekja.

Ekspertët ngrenë shqetësimin se centralizimi i shërbimeve në vetëm një qendër po e bën sistemin më të brishtë dhe më pak efikas për qytetarët.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS: