Mungesa e barnave në spitale/ Mjeku Jakaj: Problem i vazhdueshëm mes financimit të ulët dhe keqmenaxhimit
E ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News ishte mjeku Besnik Jakaj, i cili foli për mungesën e barnave në sistemin shëndetësor dhe shkaqet që po e mbajnë këtë problem të vazhdueshëm.
Ai u ndal te financimi i ulët i shëndetësisë dhe mënyra si menaxhohen burimet, duke e lidhur situatën me vështirësitë që hasin spitalet në përditshmëri.
“Ka mungesa barnash. Ka pasur, ka sot dhe do të ketë. Edhe me një buxhet më të madh, nuk zgjidhet vetëm kështu problemi.”-shtoi ai.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore mbetet niveli i ulët i financimit, ku Shqipëria renditet në fund të rajonit për shpenzimet në shëndetësi në raport me PBB-në.
“Problemi lidhet me financimin dhe keqmenaxhimin. Jemi në 2.9% të PBB-së për shëndetësinë, më poshtë se vendet e rajonit.”-tha mjeku.
Ai krahasoi gjithashtu sistemet shëndetësore në Europë, duke përmendur se ndonëse mjekësia dhe industria farmaceutike kanë bërë përparime të mëdha, vetë sistemet shëndetësore shtetërore kanë pësuar ngadalësim në vitet e fundit.
Në fokus u vu edhe rasti i Italisë, e cila sipas tij ka qenë ndër sistemet më të forta në Europë, por ka shënuar rënie të dukshme në 15 vitet e fundit, përfshirë periudhën e pandemisë.
Në fund u nënvizua se shërbimi shëndetësor publik dhe kujdesi parësor mbeten detyrim i shtetit dhe duhet të garantohen pavarësisht modelit financiar që ndjek çdo vend.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS:

