Rreziku i të rinjve pas burgut/ Sociologia Binjaku: Rehabilitimi i paplotë dhe varësia shtyjnë rikthimin në krim
E ftuar në studion e Ora News ishte sociologia Entela Binjaku, e cila foli për rrezikun që u kanoset të rinjve pas daljes nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ndikimin e rrethit shoqëror dhe rolin e dobësuar të familjes në edukim.
Ajo tha se një pjesë e personave që dalin nga burgu nuk kalojnë një proces të plotë rehabilitimi dhe, në disa raste, rikthehen në përdorimin e lëndëve narkotike. Sipas saj, kjo situatë, e kombinuar me mungesën e të ardhurave dhe varësinë, çon shpesh në përsëritje të veprave penale si vjedhjet apo grabitjet.
“Kur dalin nga institucionet nuk është e thënë që rehabilitimi është i plotë. Në këto kushte, disa prej tyre rikthehen në sjellje të rrezikshme, sidomos kur mbeten përdorues dhe pa mbështetje ekonomike.”-u shpreh ajo.
Në intervistë u ndal edhe te ndikimi i shoqërisë tek të rinjtë, ku theksoi se mjedisi social shpesh përcakton sjelljen më shumë se familja.
“Njeriu ndikohet fort nga rrethi ku jeton. Në moshat e reja, shoqëria shpesh ka më shumë peshë se familja dhe kjo mund t’i çojë drejt rrugëve të gabuara nëse mjedisi është negativ.”-tha Binjaku.
Një tjetër pjesë e diskutimit u fokusua te roli i prindërve, ku sociologia ngriti shqetësimin se ritmi i jetës ka ndikuar në largimin e vëmendjes nga edukimi i fëmijëve.
“Shumë prindër janë të lodhur nga ritmi i përditshëm dhe nuk kanë më kohë apo energji për të komunikuar me fëmijët. Në disa raste, edhe kur kanë kohë, nuk e shfrytëzojnë për edukim.”-shtoi sociologia.
Në një moment të intervistës, ajo e përshkroi realitetin aktual si një ritëm jetese që i ka kthyer prindërit në një gjendje të mbingarkuar.
“Jeta e përditshme është bërë shumë e ngarkuar dhe shpesh njerëzit ndihen sikur janë në një rutinë të pandalshme.”-tha Binjaku.
Sipas saj, shkolla mbetet institucioni kryesor që ende luan rol në edukimin e të rinjve, ndërsa familja dhe mjedisi shoqëror kanë pësuar dobësim në këtë drejtim.
Në fund, sociologia u ndal te periudha e adoleshencës, duke e cilësuar si fazën më delikate, ku kërkohet më shumë kujdes, komunikim dhe fleksibilitet në edukim.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

