SHBA dhe Irani shumë pranë marrëveshjes së re/ Trump flet për progres në negociata dhe sinjalizon përfundim të afërt

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë në një intervistë për CBS News se negociatorët amerikanë dhe iranianë janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje mes dy vendeve.

Sipas raportimeve, propozimi i fundit përfshin rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, lirimin e disa aseteve iraniane të ngrira në banka të huaja dhe vazhdimin e negociatave në një fazë të mëvonshme.

Trump nuk ka dhënë detaje për përmbajtjen e marrëveshjes, por ka thënë se procesi po ecën pozitivisht dhe se çdo ditë ka përparim, duke shtuar se nuk mund të bëhen njoftime para se të informohen palët e përfshira.

Ai ka përsëritur se çdo marrëveshje duhet të ndalojë Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore dhe se çështja e uraniumit të pasuruar duhet të zgjidhet në mënyrë të pranueshme.

Sipas tij, do të pranohet vetëm një marrëveshje që përmbush kërkesat e SHBA-së.

Burime të tjera bëjnë të ditur se procesi është ende në shqyrtim dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar, ndërsa konsultimet po vazhdojnë me këshilltarët dhe disa vende të Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite.