CNN: Shefi i inteligjencës evropiane: Koha nuk është në favor të Rusisë, presioni ndaj Putinit po rritet

Shefi i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Estonisë, Kaupo Rosin, ka deklaruar se Rusia po përballet me një presion në rritje ushtarak, ekonomik dhe social për shkak të luftës në Ukrainë, sipas CNN.

Sipas tij, brenda 4–5 muajve, presidenti rus Vladimir Putin mund të mos jetë më në gjendje të negociojë nga një pozicion force, për shkak të ngërçit në front dhe humbjeve të mëdha të ushtrisë ruse.

Rosin tha se Rusia po humb më shumë ushtarë sesa mund të rekrutojë dhe se lufta është kthyer në një konflikt të zgjatur me progres të kufizuar në terren, ku dronët luajnë një rol vendimtar.

Ai theksoi gjithashtu se sanksionet perëndimore dhe sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike, po godasin ekonominë ruse, duke ulur rritjen ekonomike dhe rritur presionin financiar.

Sipas tij, çdo përpjekje e Rusisë për të ndryshuar situatën në front do të kërkonte mobilizim të ri masiv, gjë që mund të krijojë rreziqe të brendshme politike për Kremlinin.

Megjithatë, ai shtoi se nuk sheh shenja për një revoltë të menjëhershme në Rusi, por paralajmëroi se sistemet e tilla mund të ndryshojnë shpejt nëse situata përkeqësohet.