Marco Rubio në Delhi/ Bisedime me Narendra Modi për sigurinë globale dhe krizën e energjisë

Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio ka zhvilluar bisedime në Delhi me kryeministrin e Indisë Narendra Modi gjatë një vizite katërditore në vend.

Rubio mbërriti fillimisht në qytetin e Kolkatës dhe më pas udhëtoi drejt kryeqytetit indian, ku u takua me Modi për të diskutuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe zhvillimet në rajon.

Ai pritet gjithashtu të vizitojë Jaipurin dhe Agrën gjatë qëndrimit të tij në Indi.

Gjatë takimit, Rubio i ka përcjellë Modit një ftesë për vizitë në Shtëpinë e Bardhë.

Nga pala indiane u bë e ditur se bisedimet janë fokusuar në çështje që lidhen me paqen dhe sigurinë në rajon dhe në nivel global.

Vizita vjen në një moment kur India dhe SHBA po kërkojnë të forcojnë marrëdhëniet ekonomike, ndërsa situata në tregjet globale të energjisë mbetet e tensionuar për shkak të luftës me Iranin dhe ndikimit të saj në furnizimet me naftë.

Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e naftës dhe gazit në botë, është kthyer në një pikë tensioni, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe tek India, e cila varet shumë nga importet e energjisë.