Shkeljet ligjore të Artan Hoxhës me pezullimin e dekanes Dorina Hoxha. A do merren masa për rektorin ‘qerrata’?
Pezullimi i Dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Dorina Hoxha, nga detyra ka hapur një debat të fortë juridik dhe institucional mbi kufijtë e kompetencave të rektorit dhe autonominë universitare. Me vendimin nr.110 të datës 20 shkurt 2026, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, vendosi largimin e përkohshëm të dekanes nga ushtrimi i funksioneve, ndërsa në vend të saj u komandua Skënder Kaçupi.
Sipas argumentimit të rektorit, masa u ndërmor për shkak se Dorina Hoxha është kandidate për anëtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në vendim thuhet se pezullimi synon të shmangë konfliktin e interesit dhe të garantojë paanshmërinë institucionale gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
Megjithatë, interpretimi juridik i këtij vendimi po vihet në pikëpyetje. Referuar ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, nuk ekziston asnjë dispozitë që detyron kandidatët për KLGJ apo KLP të pezullohen nga funksionet akademike gjatë kandidimit. Ligji parashikon papajtueshmëri vetëm pas zgjedhjes dhe marrjes së mandatit në organet kushtetuese, jo gjatë fazës së kandidimit.
Madje, vetë ligji përcakton se në rast kandidimi të një drejtuesi të dekanatit, kufizimi lidhet vetëm me pjesëmarrjen në procedurat përkatëse dhe jo me heqjen e plotë të kompetencave. Konkretisht, detyrat administrative mund të ushtrohen përkohësisht nga një zëvendësdekan ose pedagogu më i vjetër në fakultet, pa cenuar mandatin e zgjedhur të dekanit.
Juristë dhe ekspertë të arsimit të lartë argumentojnë se vendimi i rektorit është marrë në mungesë të një baze të qartë ligjore dhe në tejkalim të kompetencave të parashikuara nga ligji për arsimin e lartë. Sipas tyre, rektori nuk ka të drejtë të pezullojë një dekan të zgjedhur, pasi ligji njeh vetëm mundësinë e propozimit për shkarkim në raste të caktuara, ndërsa vendimmarrja i takon ministrisë përgjegjëse.
Po ashtu, neni 52 i Statutit të Universitetit të Tiranës nuk e parashikon kandidimin për KLGJ ose KLP si shkak për pezullim apo ndërprerje mandati. Kjo ka ngritur pretendimet se me këtë akt është krijuar një shkak i ri juridik, i paparashikuar as në ligj dhe as në statut.
Një tjetër element që po konsiderohet problematik lidhet me kohëzgjatjen e procedurave për përzgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, të cilat mund të zgjasin për muaj apo edhe më shumë se një vit. Sipas kritikëve të vendimit, kjo do të sillte në praktikë largimin e një autoriteti akademik nga funksioni pa qenë ende i zgjedhur dhe pa pasur asnjë shkelje ligjore ndaj tij.
Në analizat juridike që po qarkullojnë mbi rastin, theksohet gjithashtu se nuk është ndjekur një procedurë e rregullt administrative. Pretendohet se nuk është zhvilluar hetim administrativ, nuk është garantuar e drejta e dëgjimit dhe nuk janë paraqitur prova konkrete për ekzistencën e një konflikti real interesi.
Për pasojë, pezullimi i Dorina Hoxhës po shihet nga shumë juristë jo thjesht si një masë administrative, por si një precedent me pasoja për autonominë universitare dhe raportin mes institucioneve akademike dhe drejtuesve administrativë të universitetit./Prapaskena
