Përfundon Kursi XVI i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes, Abrazhda: Shqipëria pikë takimi për sigurinë dhe mbrojtjen
Ushtarakë të lartë nga Forcat e Armatosura shqiptare, përfaqësues të vendeve të NATO-s dhe profesionistë civilë të fushës së sigurisë, përfunduan sot me sukses Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i zhvilluar pranë Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë zëvendësministrja e Mbrojtjes, Blerina Abrazhda, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Pranvera Skana; zëvendësministri i Mbrojtjes, Enkelejd Joti; si dhe zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Rajize Mehmeti, komandantë të forcave, ambasadorë, atashe ushtarakë të vendeve të NATO-s, familjarë të kursantëve që përfunduan programin etj.
Në fjalën e saj përshëndetëse, zv.ministrja Abrazhda theksoi se marrëdhëniet profesionale dhe personale të ndërtuara gjatë kursit kanë vlerë afatgjatë pasi ndërtojnë besim dhe bashkëpunim ndërmjet kursantëve.
“Gjatë këtyre muajve, Shqipëria u bë një pikë takimi ku oficerë dhe profesionistë nga e gjithë Evropa dhe Lindja e Mesme u ulën bashkë, punuan bashkë dhe mësuan nga njëri-tjetri. Kjo larmi nuk ishte pengesë. Ishte forcë. Stabiliteti në fund të fundit varet nga profesionistë të disiplinuar. Njerëz që e kuptojnë se lidershipi nuk ka të bëjë me vizibilitetin por me përgjegjësinë”, tha Abrazhda.
KLSM, i themeluar në standardin aktual me mbështetjen e “George C. Marshall European Center for Security Studies”, përfshin pjesëmarrës ushtarakë e civilë nga Shqipëria, vendet e rajonit, NATO dhe shtete partnere.
Që prej vitit 2012, kursi mban statusin “NATO Listed Course”, duke u kthyer në një platformë të rëndësishme për formimin e drejtuesve strategjikë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Programi i KLSM zgjat përreth tre muaj, jep njohuri të thella mbi mjedisin global të sigurisë, organizatat ndërkombëtare, NATO-n, lidershipin dhe komunikimin strategjik, ndërsa leksionet zhvillohen nga ekspertë të lartë vendas e ndërkombëtarë, përfaqësues diplomatikë dhe drejtues institucionesh të sigurisë në vend dhe në botë.
Në Kursin XVI të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili është edhe forumi më i lartë në piramidën e arsimimit ushtarak në vendin tonë, për herë të parë morën pjesë edhe kolonelë nga Forcat e Armatosura të Jordanisë dhe Polonisë.

