Hoxha: Baki Goxhaj rrugës për në atdhe, dëshmi e punës profesionale të Shërbimit të Jashtëm

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, bëri të ditur sot se shtetasi shqiptar, Baki Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen “Global Sumud”, është tashmë rrugës për në  atdhe.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha theksoi se që në momentin e parë të sinjalizimit, strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkërendim me institucionet e tjera shqiptare kanë ndjekur pa ndërprerje çështjen, në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite.

Sipas tij, Shqipëria ka qenë e qartë dhe konsistente në kërkesën e saj për respektimin e plotë të të drejtave të shtetasit shqiptar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe normat humanitare, duke reaguar kundër çdo forme trajtimi të papranueshëm.

“Ky rast është një tjetër dëshmi e përkushtimit të përditshëm dhe e punës profesionale të Shërbimit të Jashtëm, përfshirë përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, për t’u gjendur pranë qytetarëve shqiptarë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë institucional”, theksoi Hoxha.

Më tej ministri e përmbylli reagimin e tij duke nënvizuar se “ky është misioni ynë: të përfaqësojmë e mbrojmë interesat e Republikës së Shqipërisë dhe ato kombëtare, të jemi pranë qytetarëve shqiptarë, veçanërisht në momentet kur ata kanë më shumë nevojë për mbështetjen, kujdesin dhe angazhimin e shtetit të tyre”.