Skandali i Policisë, Zhupa: Saranda si Palermoja e viteve '80, drejtorë të dënuar dhe zyrtarë në arrati
Një situatë alarmante është denoncuar së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me nivelin e lartë të kriminalitetit në qytetin e Sarandës.
Gjatë fjalimit të mbajtur në seancë parlamentare, deputetja demokrate Ina Zhupa hodhi akuza të rënda ndaj institucioneve vendore dhe qendrore për heshtje dhe mosveprim përballë kapjes së qytetit nga grupet e strukturuara kriminale.
Sipas Zhupës, pavarësisht raporteve të Prokurorit të Përgjithshëm që e rendisin Sarandën si qytetin me kriminalitetin më të lartë, asnjë masë nuk është marrë nga qeveria.
Situata raportohet të ketë agravuar me arrestimin e shefit të komisariatit dhe disa efektivëve të tjerë, por akuzat e ligjvënëses demokrate shtrihen edhe më gjerë.
Ajo tha se drejtori aktual i Policisë Bashkiake është një person i shkarkuar më parë nga Policia e Shtetit dhe i dënuar për marrje ryshfeti nga trafikantët e drogës. Ndërkohë, drejtori i Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IMT) pretendohet të jetë larguar në drejtim të paditur, teksa Prokuroria ka vendosur shiritin e kuq në institucion.
Në denoncim, Zhupa theksou se Saranda po përjeton një situatë të ngjashme me Palermon e viteve '80, ku zyrtarët bashkëpunojnë ngushtë me krimin.
Gjithashtu, Zhupa ngriti pretendimin se i vetmi kriter për t'u punësuar në Bashkinë e qytetit është e kaluara kriminale dhe korrupsioni, me qëllim përdorimin e këtyre individëve si "patronazhistë" për të siguruar vota në zgjedhjet e vitit 2025.
Ina Zhupa theksoi se ky është rreziku i madh që i kanoset qytetarëve dhe turistëve, veçanërisht gjatë sezonit veror kur popullsia dyfishohet, ndaj i kërkoi institucioneve të reagojnë urgjentisht për t'i rikthyer sigurinë Sarandës dhe gjithë jugut të vendit.
NDIQNI PUNIMET E SOTME PARLAMENTARE

