JO MË GARË PËR SHEFAT/ Kryepolici kthehet sërish në detyrë pas përfundimit të mandatit
Ligji për Policinë e Shtetit kërkohet të ndryshojë sërish me parashikimin për heqjen e garës për postet drejtuese me përjashtim të kryepolicit. Ky I fundit sipas nismës ligjore, mund të vazhdojë karrierën në Polici edhe pas largimit nga detyra e drejtorit të përgjitjeshëm
Mazhoranca propozon ndryshime në Ligjin aktual për Policinë e Shtetit.
Në draftin e hartuar nga qeveria dhe që tashmë është depozituar në Kuvend, parashikohet që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pas lirimit nga detyra, rikthehet në strukturat e Policisë së Shtetit dhe i jepet grada "Drejtues i Parë", pa të drejtë riemërimi si drejtor i policisë.
Konkretisht neni 7 i draftit parashikon ndryshimin e pikës 9 të nenit 56 të ligjit aktual.
“Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pas lirimit nga detyra, rikthehet në strukturat e Policisë së Shtetit dhe i jepet grada "Drejtues i Parë", pa të drejtë riemërimi si drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Në interes të shërbimit të rendit dhe të sigurisë publike, ai mund të kryejë funksione drejtuese këshillimore, pedagogjike ose i atashuar si oficer kontakti. Me përfundimin e qëndrimit në detyrë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit gëzon trajtim të veçantë, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave”, theksohet në projektligjin “Për Policinë e Shtetit”.
RELACIONI SHPJEGUES
Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Rexha, i cili është dhe propozuesi i këtyre ndryshimeve ligjore kërkon heqjen e garës për postet kryesore te blutë, përveç drejtuesit madhor, dhe për këtë ka disa argumente në relacionin shpjegues.
"Procedura e përzgjedhjes së drejtuesve të strukturave të nivelit të lartë policor, është kthyer në pengesë në vetë ushtrimin e veprimtarisë së tyre, kanë ulur ndjeshëm reagimin dhe produktivitetin e veprimtarisë qoftë administrativ po ashtu dhe atë operativ, për shkak të një procesi konkurrimi të tejzgjatur në kohë dhe pa produktivitet përzgjedhje. Zhvillimi i këtij procesi, ka shtuar procedurat burokratike, formale dhe aspak efektive për përzgjedhjen e drejtuesve në pozicione të larta drejtuese, atë të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, drejtorit të departamentit, drejtuesit vendor dhe deri tek shefi i një komisariati", thotë Rexha në realcion.
Po ashtu, Deputeti Rexha propozon që pas largimit nga detyra më madhore ne polici, t’i jepet grada “drejtues i parë”, dhe në këtë mënyrë të vijojë karrierën në polici, në funksione të ndryshme.
"Një ish-Drejtor i Përgjithshëm nuk është thjesht një emër, por përfaqëson një investim dekadash të shtetit, me njohuri të larta akademike dhe eksperiencë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vlerësimi për krijimin e hapësirave ligjore për vijimin e tij në strukturat policore, mundëson që kjo eksperiencë të mos humbasë, por të përdoret në funksione këshillimore, pedagogjike në Akademi, apo si oficer kontakti. Kjo i përgjigjet nevojës që dija menaxheriale të vijojë t’i shërbejë institucionit, pa cenuar autoritetin e drejtuesit pasardhës", thotë Rexha në relacion.
Ndryshime propozohen edhe për sistemin e gradave. Deri më tani, të gjitha nivelet e gradave në polici kalonin nga një në tjetrën në 5 vite diferencë, por Rexha propozon që gradat “komisar” në “kryekomisar” dhe “kryekomisar” në “drejtues” të shkurtohen në 4 vjet.
"Një afat prej 5 vitesh për secilën gradë, vlerësohet më shumë si kriter formal dhe i tejzgjatur, duke krijuar një demotivim te profesionistët që prodhojnë rezultate. Në këtë këndvështrim, me synimin për një sistem më fleksibël, vlerësohet ulja e afatit të qëndrimit në këto grada, duke shmangur kohën si element formal dhe zhvendosur fokusin te performanca. Nuk ka sens që një punonjës policie i zoti, i cili jep rezultate në hetimin e krimit apo në rendin publik, t'i nënshtrohet një afati kaq të gjatë, ndërkohë që ka nevoja emergjente për të plotësuar vendet vakante në nivelin drejtues", thotë Rexha në relacion.
Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit i jepet kompetencë për të shpërblyer me rritje në gradë edhe për raste të veçanta, pa kaluar pragun e viteve të përcaktuara. Në shenjë vlerësimi për akte heroike, sakrifica apo rrezikshmëri të lartë të ndërmarrë në shërbim të rendit dhe luftës kundër krimit, kryepolici mund të shpërblejë punonjës të caktuar me gradën pasardhëse.
Ndryshimet e propozuara pritet të kalojnë me radhë në komisionet parlamentare, aty ku pritet jo pak debat mes pozitës dhe opozitës. Pas komisioneve, brenda sesionit parlamentar pritet votimi në Kuvend dhe hyrja në fuqi.
MË POSHTË PROJEKTLIGJI I PLOTË

