Ilir Beqaj del nga kafazi i xhamit dhe i hiqen prangat gjatë seancës për dosjen e "Sterilizimit": Kërkojmë pushimin e çështjes
Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është nxjerrë nga kafazi i xhamit të blinduar dhe është ulur krah avokatit të tij, në seancën e sotme për dosjen e sterilizimit.
Më 28 prill GJKKO pranoi kërkesën e Beqajt që të gjykohej jashtë kafazit, një vendim i cili nga kjo gjykatë vijon të refuzohet për presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Meta në procesin gjyqësor të këtij të fundit.
Në seancën e kësaj të enjteje ai është parë të jetë ulur në krah të avokatit të tij.
Ilir Beqaj në seancën për “Sterilizimit” deklaroi: "Regjistrimi i procedimit penal mbi bazën e kallëzimit të “Nismës Thurje” është një shkelje, pasi nuk kishte asnjë bazë. Do komunikoj me avokatin që të kërkojmë të shpallë të pavlefshëm regjistrimin e procedimit. Organi i Akuzës ka bërë një regjistrim pa bërë verifikime. Kallëzimi nuk përmban asnjë autor të dyshuar. Organi i Akuzës bën me vite hetimin pa regjistruar emrin tim. Kallëzimi është pranuar në mënyrë të paligjshme, edhe regjistrimi është bërë në mënyrë të paligjshme dhe kërkojmë pushimin e çështjes".
Fillimisht Ilir Beqaj u mor i pandehur për shpërdorim detyre, por me sugjerim të gjyqtarit të seancave paraprake SPAK ndryshoi akuzën në vjedhje duke shpërdoruar detyrën si grup i strukturuar kriminal.
Kjo akuzë ndërkohë ra në dënimin përfundimtar për të bashkëpandehurit e tjerë Klodian Rrjepaj e Ilir Rrapaj, që u gjykuan me procedurë të shkurtuar.
Beqaj ndodhet nën masën e sigurisë 'arrest me burg' për një proces tjetër gjyqësor ndaj tij për dosjen e SASPAC.

