“E shtyu dhimbja dhe neveria” - Flet bashkëshortja e aktivistit të vetëm shqiptar të bllokuar nga Izraeli

Një anije me aktivistë ndërkombëtarë dhe ndihma humanitare, pjesë e “Flotilës së Lirisë” me destinacion Gazën, është ndaluar nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare.

Mes dhjetëra aktivistëve në bord ndodhet edhe shqiptari i vetëm, Baki Goxhaj. Në një lidhje të drejtpërdrejtë në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, bashkëshortja e tij, Eriselda Balliu, ka rrëfyer momentet e fundit të komunikimit me të dhe arsyet që e shtynë të ndërmerrte këtë mision të rrezikshëm.

Sipas Balliut, kontakti i fundit me bashkëshortin e saj ishte rreth 45 minuta para se anija të ndalohej dhe komunikimet të ndërpriteshin. “Ai njoftoi se diçka po ndodhte. Ishte optimist deri në fund, siç e tregon edhe postimi i tij i fundit. Bakiu është një njeri shumë idealist,” u shpreh ajo, duke shtuar se pavarësisht vështirësive të udhëtimit, ai ruante shpresën se do të ishin ndër ata që do t’ia dilnin të arrinin në brigjet e Gazës.

E pyetur se çfarë e motivoi Goxhajn në këtë nismë, Balliu deklaroi se ai u shty nga “dhimbja” e përjetuar gjatë dy viteve e gjysmë të fundit. Ajo theksoi se vendimi i tij ishte ndikuar gjithashtu nga “zhgënjimi dhe një lloj neverie karshi qëndrimeve të institucioneve tona”. Sipas saj, Goxhaj dëshironte të jepte një kontribut real përtej fjalëve, i nxitur nga dashuria për qenien njerëzore. “Donte të përfaqësonte edhe ata shqiptarë që e kanë pasur busullën morale për të qenë krah të drejtëve,” tha ajo, duke konfirmuar se ai është i vetmi shqiptar i nisur ndonjëherë nga Shqipëria në një mision të tillë.

Ndërhyrja ndaj flotilës ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare, veçanërisht nga Italia, pasi në bord ndodheshin 29 shtetas italianë, përfshirë një deputet dhe një gazetar. Kryeministrja Giorgia Meloni dhe Presidenti Sergio Mattarella kanë dënuar mënyrën e trajtimit të aktivistëve. Raportohet se të ndaluarit mund të lirohen pas nënshkrimit të një deklarate, ndërsa ata që refuzojnë rrezikojnë përjashtimin ose burgosjen.

Në këtë kontekst, bashkëshortja e Goxhajt kritikoi atë që e cilësoi si një “heshtje të frikshme institucionale” nga ana e shtetit shqiptar, duke kërkuar më shumë transparencë mbi hapat diplomatikë për kthimin e tij në atdhe. Situata mbetet e paqartë, ndërkohë që aktivistët, të cilësuar si “terroristë” nga një ministër izraelit, presin vendimin për fatin e tyre.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”